KOMF: Institucionet parashkollore të zbatojnë me rigorozitet kërkesat për vaksinim

Prishtinë | 31 Kor 2026 | 14:01 | Nga Ekonomia Online

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka shprehur shqetësim për rritjen e rasteve me fruth në Kosovë, duke u bërë thirrje institucioneve parashkollore që të zbatojnë në mënyrë rigoroze kërkesat për vaksinimin e fëmijëve.

Sipas KOMF-it, të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) tregojnë se deri më 27 korrik 2026 janë konfirmuar 78 raste me fruth në vend.

Aktualisht, 17 fëmijë janë të shtruar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po marrin trajtim mjekësor, ndërsa dy prej tyre janë duke u trajtuar me mbështetje me oksigjen për shkak të vështirësive në frymëmarrje. Fëmijët e prekur janë kryesisht të moshës nga 1 deri në 2 vjeç.

KOMF ka theksuar se shqetësim i veçantë mbetet përhapja e fruthit në dy institucione parashkollore, ku janë prekur fëmijë të pavaksinuar.

“Sipas masave të IKShPK-së, nuk lejohet pranimi i asnjë fëmije në institucionet parashkollore dhe shkollore pa paraqitjen e dokumentit zyrtar (vërtetimit të vaksinimit). Institucionet parashkollore janë të obliguara t’i zbatojnë në mënyrë rigoroze masat parandaluese të përcaktuara nga IKShPK”, thuhet në komunikatën për media të KOMF-it, transmeton KosovaPress.

Koalicioni u ka bërë thirrje institucioneve parashkollore që të zbatojnë me përgjegjësi këto masa për të garantuar mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.

Njëkohësisht, KOMF ka apeluar edhe te prindërit dhe kujdestarët ligjorë që t’i vaksinojnë fëmijët sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit.

“Vaksinimi është obligim ligjor i prindërve dhe një masë thelbësore për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së fëmijëve”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme