Ushtarët e Putinit po kthejnë armët kundër njëri-tjetrit: Katër të vrarë pasi ushtari rus hapi zjarr ndaj shokëve dhe civilëve në Krime

Prishtinë | 04 Gus 2026 | 13:26 | Nga Ekonomia Online

Një ushtar i Vladimir Putinit hapi zjarr ndaj bashkëluftëtarëve të tij dhe më pas ndaj civilëve në Sevastopol, në Krimenë e pushtuar nga Rusia, duke lënë katër të vrarë dhe katër të plagosur.

Sipas autoriteteve të instaluara nga Moska, ushtari fillimisht qëlloi mbi kolegët e tij në fshatin Hmelnickoje. Nga sulmi mbeti i vrarë një ushtar rus, ndërsa një tjetër u plagos rëndë.

Pas kësaj, ai drejtoi armën ndaj civilëve, duke vrarë tre persona – dy burra, 71 dhe 59 vjeç, si dhe një grua 64-vjeçare. Tre civilë të tjerë mbetën të plagosur.

Guvernatori i emëruar nga Kremlini, Mihail Razvozhajev, konfirmoi se sulmuesi është arrestuar, ndërsa hetimet për motivet e ngjarjes janë ende në vazhdim.

Edhe pse autoritetet ruse nuk e kanë zbuluar identitetin e tij, portali i pavarur rus Agentstvo, duke cituar The Moscow Times, raportoi se i dyshuari mund të jetë 21-vjeçari Maksim Alistratov nga rajoni i Saratovit. Sipas këtyre raportimeve, ai u arratis për pak kohë në një pyll pranë vendit të ngjarjes, para se të arrestohej.

Të ngjashme