Mes maleve të larta, pyjeve të gjelbëruara dhe ujërave të kristalta, Bjeshkët e Vermoshit në Kelmend të Malësisë së Madhe shfaqen si një prej peizazheve më të bukura të veriut të Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga kjo perlë e Alpeve shqiptare, duke sjellë në vëmendje bukurinë natyrore të një prej zonave që gjatë verës tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj.
Vermoshi të magjeps me natyrën e tij të gjelbër, pemët e larta, relievin malor dhe peizazhet që ndryshojnë ngjyra nën dritën e diellit. Është një panoramë që duket si e pikturuar, ku gjelbërimi i bjeshkëve ndërthuret me kaltërsinë e qiellit dhe rrjedhat e ujërave malore.
Në këtë mozaik natyror, lumi i Vermoshit dhe burimet e ujërave të zonës i japin peizazhit një tjetër dimension, duke krijuar një atmosferë të qetë dhe magjepsëse për këdo që zgjedh ta vizitojë.
Kelmendi, me fshatrat e tij të shtrirë mes maleve dhe natyrën e pasur, është një prej destinacioneve që ofron një tjetër mënyrë për të përjetuar Shqipërinë larg zhurmës së qyteteve dhe mes një natyre që ruan ende bukurinë e saj të veçantë.
Gjatë sezonit veror, Bjeshkët e Vermoshit një panoramë alpine mahnitëse, janë kthyer në një destinacion të preferuar për turistët që kërkojnë ajër të pastër, freski, qetësi dhe aventura në natyrë. Shtigjet malore, panoramat alpine dhe biodiversiteti i zonës krijojnë mundësi për eksplorim dhe përvoja të paharrueshme.
Bukuria e Vermoshit nuk qëndron vetëm te madhështia e maleve, por edhe te harmonizimi i natyrës me jetën tradicionale të zonës. Peizazhi, gjelbërimi dhe kultura lokale krijojnë së bashku një destinacion me potencial të veçantë për turizmin malor dhe të qëndrueshëm.
Nga veriu i Shqipërisë, Vermoshi mbetet një ftesë për të zbuluar një tjetër fytyrë të vendit: atë të maleve, bjeshkëve, lumenjve dhe peizazheve që të lënë mbresa që në shikimin e parë./Atsh