Kur njeriu i shpëton, me një mrekulli, togës së pushkatimit, ai, në ato çastet e para më pas, kur nisë të merr frymë ngadalë, e kupton që i është dhënë një jetë krejtësisht e re, të cilën duhet ta gëzojë si duhet.
Megjithatë, ai nuk ndalet me kaq. Gjë që do të duhej, gjithsesi.
Ta jetosh dy herë jetën nuk është pak.
Shpëtimit të tij ai nisë t’i jep tipare hyjnore (ndryshe, si do të mund ai të dilte gjallë aty), dhe më në fund, i ekzaltuar fare, atij i zdritet truri me mendimin që mrekullia e parë, e tejkalimit të vdekjes para togës së pushkatimit, i çelë udhë asaj mrekullisë sipërore, sipas të cilës del që ky është i pavdekshëm.
Që mund të bëjë çka do me veten dhe me jetën e tij, sepse tash është veshur me fatin suprem të amshueshmërisë.
Ku ka më mirë se të jetosh përgjithmonë.
Kjo është domethënia e Hubris-it, të cilin na e kanë lënë në trashëgimi helenët, si gjetje dhe si përjetim, si koncept.
Dhjetë a njëqind a njëmijë hapa më tej, protagonisti i këtij kallëzimi, teksa mendja tashmë i fluturon kah qielli dhe hyu, rrëshqet në një shpat, rrokulliset keq dhe bie në një moçal. Përpiqet disi të del prej tij, por sa më shumë që mundohet, aq më shumë këmbët i fundosen në ‘baltën e gjallë’. Atë më pas e gjen vdekja në këtë kënetë. Fillikat vetëm. Nuk ka kush t’i ndihmojë.
Ai u nxor aty ku gati askush nuk mundet dhe vdiq kështu në një aksident rasti. A çasti.
Si kemi ushqim çasti (të shpejtë), ashtu kemi edhe vdekje çasti.
Çka është jeta pasi del matanë togës së pushkatimit, atij kërcënimi të shfarosjes kolektive, e dimë ne shumë mirë, si shqiptarë të Kosovës, pas asaj pranvere tragjike të vitit 1999, kur arritëm që të shpëtojmë dhe të çlirohemi.
Na u dha, të gjithëve që ishim këtupari në atë vit, një jetë e re, në liri. Diçka që nuk kishim përjetuar kurrë si shqiptarë të Kosovës. Ama kurrë.
Na dukej neve në atë kohë, besa ne ju dukeshim të tillë edhe shumë miqve që vinin nga Perëndimi, që nuk ka kush të na ndalë. Aq kishim vullnet dhe gjallëri, aq kishim gatishmëri dhe përkushtim, saqë shumëkush mendoi këtu dhe në Perëndim, që për dhjetë vjet (më së shumti), Kosova do të bëhet Zvicër.
Më pas dimë çka ndodhi.
Nisëm të rrëzohemi gjithnjë më shpesh. Përherë e më shumë.
Jeta individuale ndryshoi shumë, për të mirë, për organizimi i përgjithshëm/ kolektiv politik, nisi të ndryshojë, për të keq, sa më shumë që pajiseshim me institucione dhe me pushtet.
Nuk mund dot të shpjegohet me një shkrim çka na gjeti kështu. Mbase, ai Hubrisi që godite helenët e moçëm, e bëri këtë edhe me shqiptarët e Kosovës.
Sidoqoftë, u bëmë shtet. Mezi. Me njëqind probleme dhe pengesa, shumica e të cilave janë të pranishme sot e kësaj dite. Në një Botë çfarë është sot, këtë duhet thënë pa kurrfarë dyshimi, nuk do të çliroheshim kurrë dhe nuk do të bëheshim shtet po ashtu kurrë.
Patëm fat. Dhe njëmend përjetuam mrekullinë. Dy herë madje.
I kemi merituar ato, do të mund të thoshte shumëkush këtu. E vërtetë. Por historia dhe as politika nuk funksionojnë me merita dhe me drejtësi. Sikur të ishte ashtu, historia do të zhbëhej që moti. Dhe politika, madje.
E dimë që kurrë nuk do të ndodhë diçka e tillë.
Sidoqoftë, ky tregimi i ynë kolektiv, duket se i është afruar fort atij të protagonistit të fillimit të këtij shkrimi, kur rrëshqet dhe rrokulliset drejt e në moçal.
Nuk ka, natyrisht, krahasime krejtësisht të sakta. Dihet.
Pastaj, dikujt mund t’i dihet i gjithë ky rrëfim si i tejkaluar për ne. Për ne të gjithë.
Gabim.
Atë, në të vërtetë po e përjetojmë çdo ditë e më shumë. Të gjithë ne.
Nuk ka kush të na shpëtojë prej vetvetes. Të mos e harrojmë këtë.