Në këtë situatë, mërgimtarët nuk kanë çka të kërkojnë në Kuvendin e Kosovës

Prishtinë | 12 Gus 2026 | 15:18 | Nga Enver Robelli

Në këtë situatë, mërgimtarët nuk kanë çka të kërkojnë në Kuvendin e Kosovës. Shijoni pushimet dhe rrini me familjet tuaja.

Kuvendi i Kosovës është në një gjendje të jashtëzakonshme. Situata juridike është e paqartë: njëra palë thotë se është shkelur Kushtetuta, ndërsa tjetra pohon të kundërtën. Në Kuvend nuk mbretëron atmosferë pune, por tension dhe vulgaritet. Shumë deputetë shfaqen aty vetëm për të prodhuar skena qesharake dhe agresive për rrjetet sociale. Përdoren bërrylat, jo truri.

Asnjëra palë nuk po vepron e shtyrë nga motive të sinqerta. Mirëbesim nuk ka, por ka shumë dëshirë për hakmarrje dhe për ngritje kurthesh. Gra e burra histerikë përdorin gjuhë të pistë. E në mes të kësaj turme të ashtuquajturish “përfaqësues të popullit”, ç’kërkojnë mërgimtarët, si tifozë të një meçi boksi?

Kjo është e panevojshme. Parlamenti nuk ka çka të tregojë, përveç këtyre skenave të turpshme.

Në rrethana të tjera, sikur Kosova të kishte një parlament normal me deputetë normalë, një delegacion i Kuvendit, përgjegjës për mërgatën, do t’i priste njerëzit dhe do t’i njoftonte se cilat ligje po diskutohen, cilat janë duke u hartuar dhe cilat kanë hyrë në procedurë parlamentare dhe çka eventualisht përfiton Kosova dhe mërgata bashkë me të.

Nga pushimet në Kosovë, mërgimtarët mund të nxjerrin një mësim: kur të kthehen në vendet ku jetojnë – për shembull, në Zvicër – le të vizitojnë Parlamentin Federal në Bernë. Në komentin poshtë këtij postimi e gjeni linkun ku mund të lajmëroheni për një vizitë.

Të ngjashme