Klubi belg Sint-Truiden, ka konfirmuar zyrtarisht transferimin përfundimtar të sulmuesit shqiptar, Arbnor Muja, nga skuadra turke Samsunspor.
Muja ishte pjesë e Sint-Truidenit në formë huazimi për një sezon, ndërsa paraqitjet e tij me klubin belg kanë mjaftuar për drejtuesit që ta aktivizojnë opsionin e blerjes dhe ta bëjnë të përhershme marrëveshjen.
Sulmuesi anësor ka lënë përshtypje të mirë gjatë aventurës së tij në Belgjikë, duke regjistruar gjashtë gola dhe dy asistime në 28 paraqitje në të gjitha garat.
Pikërisht këto paraqitje duket se kanë bindur Sint-Truidenin që të investojë përfundimisht në kartonin e futbollistit shqiptar, i cili tashmë do të vazhdojë karrierën në Belgjikë si lojtar i klubit.
Transferimi është konfirmuar edhe nga faqja zyrtare e Sint-Truiden, e cila ka bërë të ditur se Muja do të vazhdojë ta bartë fanellën me numrin 7.
Tashmë, pas një sezoni të suksesshëm në Belgjikë, Muja do të vazhdojë të jetë pjesë e Sint-Truidenit, ku pritet të ketë një rol të rëndësishëm edhe në sezonet e ardhshme.