Napoli dhe Chelsea ende pa marrëveshje përfundimtare për Badiashile

Prishtinë | 14 Gus 2026 | 20:54 | Nga Ekonomia Online

Napoli shpreson ta ketë Benoit Badiashile në dispozicion për ndeshjen hapëse të sezonit të ri në Serie A, por marrëveshja me Chelsea-n ende nuk është finalizuar plotësisht.

Sipas raportimeve nga mediat italiane, angleze dhe franceze, palët kanë arritur një marrëveshje paraprake për huazimin e mbrojtësit francez për 3 milionë euro, plus 1 milion euro bonuse. Napoli do të kishte gjithashtu opsionin për ta blerë përfundimisht lojtarin për 27 milionë euro.

Megjithatë, Badiashile ende nuk ka marrë dritën e gjelbër për të udhëtuar drejt Italisë dhe për t’iu nënshtruar testeve mjekësore.

Sipas “Sky Sport Italia”, një nga arsyet e vonesës lidhet me presidentin e Napolit, Aurelio De Laurentiis, i cili duhet të japë miratimin për bonusin shtesë prej 1 milion eurosh.

Ky bonus raportohet se nuk ishte pjesë e marrëveshjes fillestare mes dy klubeve.

Shifrat e fundit të operacionit janë gjithashtu dukshëm më të larta se oferta prej rreth 18-20 milionë eurosh që ishte përmendur vetëm disa ditë më parë.

Për këtë arsye, drejtuesit e Napolit po bëjnë vlerësimet përfundimtare përpara se transferimi të marrë formë zyrtare.

Megjithatë, pengesa nuk duket të jetë vetëm mes dy klubeve.

Sipas gazetës franceze “L’Equipe”, Badiashile ende nuk ka pranuar plotësisht kushtet personale të kontratës dhe nuk është tërësisht i bindur për transferimin te Napoli.

Kjo do të thotë se edhe vetë lojtari duhet të japë miratimin përfundimtar përpara se të udhëtojë në Itali dhe t’u nënshtrohet vizitave mjekësore.

Badiashile u transferua te Chelsea nga AS Monaco në janar të vitit 2023, në një marrëveshje me vlerë rreth 38 milionë euro.

Megjithatë, 25-vjeçari nuk ka arritur të sigurojë vazhdimësi të plotë në formacionin e klubit londinez dhe sezonin e kaluar regjistroi vetëm 16 paraqitje në të gjitha garat.

Napoli e sheh mbrojtësin francez si një përforcim të rëndësishëm për repartin defensiv, por për momentin marrëveshja mbetet në pritje të miratimit përfundimtar nga De Laurentiis dhe vendimit të vetë Badiashile.

Të ngjashme