‘Stres testet’ e politikës kosovare

Prishtinë | 17 Gus 2026 | 09:40 | Nga Blerim Shala

Pas kolapsit financiar të vitit 2008 në Amerikë dhe në Perëndim, i cili përndryshe, ishte shumë afër atij të vitit 1929, që pati tronditur Botën dhe i pati dhënë krah lëvizjeve tektonike në politikën evropiane që morën epilog në trajtë të Luftës së Dytë Botërore, morën hov në SHBA dhe gjetiu ‘Stres testet e bankave’.

Me këto ‘Stres teste’ mund të kuptohej se sa është një bankë e përgatitur për ta përballuar një krize të madhe ekonomike si dhe tronditjen e tregut financiar.

Qëllimi kryesor i këtyre testeve ishte që të spikateshin pikat e dobëta në sistemin bankar, pastaj, të riparoheshin ato dhe të sigurohej parandalimi i një kolapsi të ri financiar.

Mësimi ishte nxjerrë kudo në Perëndim. Nuk duhej lejuar përsëritjen e një zhvillimi shumë të rëndë financiar dhe ekonomik, me pasoja afatgjata politike dhe të sigurisë.

Nëse tash i kthehemi rrjedhave politike në Kosovë, që nga muaji shkurt i vitit 2025 (kur u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare, të rregullta, të cilat u pasuan nga dy të tjera, të parakohshme), mund të tërhiqet një paralele interesante (dhe me gjasë e qëndrueshme), në mes të kësaj dukurie të ‘Stres testit’ që aplikohet në bankat perëndimore, dhe këtij ‘Stres testi’, nëse mund ta quajmë kështu, i cili tek ne, po e sprovon sistemin politik dhe Rendin kushtetues.

Natyrisht, askund në Rendin tonë kushtetues dhe në sistemin tonë politik nuk është paraparë (dhe nuk ka mundur të parashihet dot, të jemi fare të qartë), që politika kosovare do të mund ta sfidojë në këtë mënyrë Kushtetutën dhe sistemin politik.

Në një demokraci parlamentare, çfarë padyshim është edhe kjo e jona, ‘çelësi’ i vetëm që i hapë të gjitha dyert e funksionimit të kësaj demokracie, përkon me zgjedhjet e lira.

Nëse pra ka zgjedhje të lira, apo, nëse nuk ka manipulim dhe fabrikim të vullnetit të qytetarëve të një vendi, atëherë, të gjitha proceset që pasojnë, e të cilat janë pjesë e legalitetit, janë të arritshme. Dhe anasjelltas. Nëse zgjedhjet nuk janë të lira, përmbyset çdo gjë në atë vend.

Sa për mënyrën se si ne i bëjmë zgjedhjet në Kosovë, pa hezitim që mund të themi (edhe një herë), që ato janë shembull për gjithë rajonin. Për këtë shkak, askush nuk e konteston rezultatin e tyre dhe për shumë vite, këtupari, nuk ka pasur probleme të këtij lloji.

Por ja që për herë të tretë në 18 muajt e fundit, skena politike vendore nuk po arrin dot ta kryejë punën për të cilën ka marrë mandat prej qytetarëve/ votuesve të Kosovës.

Këta nuk e votojnë ngecjen dhe krizën (eventuale) politike, siç po ndodhë në tri radhët e kaluara.

Këta votojnë që të përzgjedhurit e tyre t’i formojnë Kuvendin, Qeverinë dhe ta zgjedhin Presidentin.

Si dhe qysh do ta bëjnë këtë, kjo është punë e tyre, jo edhe e votuesve, të cilët si qëndrojnë punët aktualisht, duket që do t’i vizitojnë sërish qendrat shkollore kah fundi i këtij viti.

Nëse këtu për pak rikujtojmë se çfarë na ka ndodhur neve, këndejpari, që nga dimri i vitit të kaluar, atëherë do të mund të mbërrimë në konkludim që njëmend ne po e bëjmë vazhdimisht ‘Stres testin’ e Rendit kushtetues dhe të sistemit politik.

Të thuash gjithçka dhe çdo gjë është kontestuar në 18 muajt e kaluar, e që ka të bëjë me mënyrën se si lexohet dhe shpjegohet Kushtetuta e vendit, dhe se si duhet të funksionojë sistemi politik i Kosovës.

Deri më tash së paku, rezultatet e këtij ‘Stres testi’ të vazhdueshëm nuk janë të këqija. Përkundrazi. I kemi përballuar të gjitha sprovat, dhe nuk jemi rrëzuar për toke (si thuhet). Por kostot politike dhe financiare të gjithë këtyre sprovave, janë tepër të mëdha për Kosovën.

Për më keq, nuk ka shenja që këto ‘Stres teste’ kanë marrë fund. Dhe kjo është shenjë shumë e rrezikshme për Kosovën.

Të ngjashme