Përfaqësues të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Qendrës Rajonale të Shëndetësisë Publike në Prishtinë (QRSHP) dhe Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” (KRU) kanë zhvilluar një takim të përbashkët, ku në fokus ishte monitorimi i cilësisë së ujit të pijshëm dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional.
Gjatë takimit u diskutua për gjendjen aktuale të cilësisë së ujit të pijshëm, aktivitetet e monitorimit, punët e realizuara, projektet dhe raportet e përgatitura, si dhe ato që janë në proces të përfundimit.
Kryeshefi Ekzekutiv i KRU “Prishtina”, Arsim Fetahu, theksoi përkushtimin e kompanisë për sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm me ujë për qytetarët e rajonit të Prishtinës, me synim furnizimin 24 orë në ditë, krahas garantimit të ujit të sigurt dhe cilësor për konsum.
Ndërkaq, drejtoresha Ekzekutive e IKSHPK-së, Ardita Baraku, shprehu gatishmërinë për vazhdimin e monitorimit të rregullt të cilësisë së ujit të pijshëm, përcjelljen dhe vlerësimin e rezultateve të analizave, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me KRU “Prishtina”.
Sipas institucioneve, ky bashkëpunim synon të mundësojë reagim të shpejtë ndaj çdo situate që mund të ndikojë në sigurinë e ujit të pijshëm dhe, rrjedhimisht, në shëndetin publik.
IKSHPK dhe KRU “Prishtina” kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë forcimin e bashkëpunimit përmes shkëmbimit të rregullt të informacionit dhe koordinimit të aktiviteteve, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik dhe sigurimit të ujit të sigurt e cilësor për qytetarët.