Bebe Rexha dhe David Guetta arrijnë vendin e parë me “Sad Girls” në klasifikimet e radiove amerikane të zhanrit dance

Prishtinë | 22 Gus 2026 | 09:41 | Nga Ekonomia Online

Bebe Rexha dhe David Guetta kanë shënuar një tjetër sukses me bashkëpunimin e tyre më të fundit, “Sad Girls”, e cila ka arritur në vendin e parë të klasifikimit të radiove dance në Shtetet e Bashkuara.

Kënga ka përfunduar ngjitjen në krye të listës së kësaj jave të Mediabase Dance Radio, duke u renditur në pozitën e parë.

“Sad Girls” ishte renditur në vendin e dytë gjatë javës së kaluar, ndërsa këtë javë ka arritur të ngjitet në krye falë rreth 779 transmetimeve radiofonike të regjistruara gjatë periudhës së matjes nga 9 deri më 15 gusht.

Numri i transmetimeve është rritur me 162 krahasuar me javën e kaluar, duke i siguruar këngës së Rexhës dhe Guettas ngjitjen në pozitën e parë.

Ndërkohë, “Movin’ To The Sun” nga Hugel, Ultra Naté dhe Imael Angel është ngjitur në vendin e dytë, ndërsa “Free Your Mind” nga Prospa dhe Cloonee ka shënuar një ngritje prej tri pozitash, duke u renditur e treta.

Kënga “Sad Girls” renditet e para edhe në Billboard Dance (Foto: Billboard)

Në vendin e katërt është ngjitur “Gimme Love” nga Laszewo, ndërsa “Seratonin” e James Hype ka avancuar dy pozita për të zënë vendin e pestë.

Suksesi i “Sad Girls” vjen në një periudhë të rëndësishme për Bebe Rexhën, e cila këtë vit ka nisur një kapitull të ri në karrierën e saj muzikore si artiste e pavarur.

Të ngjashme