Rreth 35 milionë vjet më parë, pllaka tektonike arabe filloi të përplasej me pllakën euroaziatike.
Kjo bëri që Oqeani parahistorik Tethys, i cili dikur ndante superkontinentet Laurasia dhe Gondwana, të tkurrej.
Laurasia më vonë do të shndërrohej në Amerikën e Veriut, Europë dhe pjesë të Azisë, ndërsa Gondwana u shpërbë në Amerikën e Jugut, Afrikë, Antarktidë, Australi dhe Indi.
Por deti i lashtë nuk u zhduk tërësisht, pasi një mbetje e tij ekziston edhe sot, në formën e Ngushticës së Hormuzit.
Ekspertët thonë se procesi gjeologjik që krijoi këtë rrugë ujore jetike — pikën e nxehtë të luftës së SHBA-së me Iranin – është i njëjti proces që i dha rajonit pasuritë e tij të naftës në radhë të parë, shkruan CNN.
Sipas National Geographic, teksa pllaka arabe filloi të lëvizte më tej nën pllakën euroaziatike, dy pllakat u përplasën dhe u deformuan, duke krijuar malet Zagros — një varg mbresëlënës majash që ende ekzistojnë në Iran. Pesha e këtyre maleve shtypi një pjesë të pllakës arabe, duke bërë që të formohej ngushtica.
Për qindra miliona vjet përpara se pllaka arabe të përplasej me Euroazinë, ajo ndodhej nën nivelin e detit, duke krijuar mjedisin e përsosur për formimin e naftës bruto, sipas National Geographic.
Kjo ndodh sepse kur kafshët dhe bimët në mjediset detare ngordhin, mbetjet e tyre bien në fund të shtratit detar, duke u vendosur mes shtresave të llumit dhe rërës. Më pas, gjatë miliona viteve dhe nën ndikimin e nxehtësisë dhe presionit të madh, këto mbetje shndërrohen në atë që ne e quajmë naftë bruto.
“Mund të kesh ushtrinë më të fuqishme që ka parë ndonjëherë bota, por në rrugën e saj do të qëndrojë natyra”, tha Tim Marshall, autor i librit bestseller “Të burgosurit e gjeografisë”, duke dëshmuar rëndësinë strategjike të ngushticës.
“Nuk është çudi që asirianët e quanin Gjirin Persik ‘Deti i Hidhur’”, shkroi ai në mars.