Kurti përkujton Dervish Rozhajën: Një nga personalitetet më të shquara në Kosovë

Prishtinë | 23 Gus 2026 | 14:40 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar 30-vjetorin e vdekjes së Dervish Rozhajës, rektorit të parë të Universitetit të Prishtinës dhe një prej figurave më të rëndësishme të shkencës, arsimit dhe jetës publike në Kosovë.

Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se 30 vite më pas nga dita kur ai vdiq, më 23 gusht të vitit 1996, e kujtojmë Dervish Rozhajën, njërin ndër personalitetet më të shquara të shkencës, arsimit dhe jetës publike në historinë e Kosovës.

Kurti ka vlerësuar veçanërisht rolin e Rozhajës në themelimin dhe zhvillimin e Universitetit të Prishtinës.

“Pas Luftës së Dytë Botërore, Universiteti i Prishtinës ishte institucioni më i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët e mbetur jashtë Shqipërisë. E biologu dhe fiziologu Dervish Rozhaja, ishte profesor universitar dhe rektori i parë i Universitetit të Prishtinës, anëtar dhe më pas nënkryetar dhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”, ka shkruar ai.

Duke folur për formimin dhe karrierën e Rozhajës, Kurti ka theksuar se ai u dallua që në moshë të re për arritjet e tij akademike.

“Dervish Rozhaja ka lindur në vitin 1934 në Pejë, ku edhe e kreu shkollimin fillor. Pas mbarimit të shkollës së mesme në Gjakovë më 1949, ai studioi për biologji në Universitetin e Beogradit ku u diplomua më 1954. Katër vite më vonë, ai doktoroi kur ishte ende vetëm 24 vjeçar, duke u bërë doktori më i ri në moshë në tërë ish Jugosllavinë.”

Kurti ka përmendur edhe momentin e zgjedhjes së Rozhajës si rektor i parë të Universitetit të Prishtinës.

“Dhjetë vite më pas, kur u themelua Universiteti i Prishtinës, në mbledhjen e parë që i nxori organet drejtuese të tij, më 13 shkurt 1970, Dervish Rozhaja u zgjodh rektori i parë i Universitetit të Prishtinës”, ka shkruar Kurti.

Në postimin e tij, Kurti ka rikujtuar edhe një pjesë të fjalimit të Rozhajës në ceremoninë themeltare të Universitetit të Prishtinës, ku ai kishte folur për rëndësinë e shkencës në zhvillimin e shoqërisë.

“Zhvillimi i fuqishëm i shkencës sjell ndryshime përkatëse në koncepcionin dhe pozicionin e saj në shoqëri. Në vend të shkencës si aktivitet i ndarë nga jeta, sot e kemi depërtimin e saj në të gjitha poret e jetës.”

Kurti ka veçuar edhe përvojën ndërkombëtare të Rozhajës, i cili gjatë viteve të Luftës së Ftohtë u specializua në institucione shkencore në Bashkimin Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fund, kryeministri në detyrë ka vlerësuar trashëgiminë e tij shkencore dhe institucionale.

“Dervish Rozhaja vdiq në Prishtinë më 23 gusht 1996, në moshën 62 vjeçare. Ai do të kujtohet për kontributin e tij të gjerë shkencor, profesional dhe institucional në jetën shkencore akademike por edhe në atë publike në Kosovë.”

“U kujtoftë gjithmonë mes nderimesh dhe mirënjohjesh, si një profil shembullor i shkencëtarit, profesorit dhe akademikut që me ndërgjegje u përgjigjet kërkesave të kohës së tij”, ka përfunduar Kurti.

Të ngjashme