Dalja nga Qorrsokaku

Prishtinë | 25 Gus 2026 | 08:57 | Nga Blerim Shala

Kosova ose do të ketë President konsensual, ose nuk do të ketë fare President, që do të thotë se sërish, për herë të dytë këtë vit, si dhe për herë të katërt që nga shkurti i vitit të kaluar (2025), do t’ia mësymë qendrave të votimit/ shkollave, ku fëmijët arsimohen dhe ku të rriturit mësojnë demokraci dhe e ushtrojnë atë.

Nëse do të votojmë edhe një herë sivjet, kjo do të jetë radha e dytë që dështimi në zgjedhjen e Presidentit po e pamundëson krijimin e pushtetit qendror, në të gjitha dimensionet e tij, dhe që për këtë shkak, po i kthehemi prapë zgjedhjeve si zgjidhje, edhe pse nuk na doli kështu në tre herat e kaluara.

Ky duket të jetë raporti më i shkurtër i mundshëm i gjendjes në të cilën jemi tani, në këto ditët me vapë të padurueshme verore dhe me një vendnumërim në procesin e adresimit dhe të zgjidhjes së problemeve që duket se e kanë ndërmend të lëshojnë rrënjë këndej kah ne.

Është interesant që të gjithë disi, qytetarë dhe politikanë, jemi mësuar me këtë gjendje, ajo nuk po na bën shumë përshtypje, teksa kësaj here, më shumë se në ato rastet paraprake, nuk ka të thuash aspak shpresë që disi do t’i gjendet filli këtë lëmshi i cili është gjithsesi ‘prodhim vendor’, apo që do të arrijmë t’i shmangim zgjedhjet e reja të parakohshme.

Kështu, kësaj radhe nuk ka fort vullnet as të angazhohet Gjykata Kushtetuese si një arbitër final kushtetues (dhe politik), gjë që ishte rasti në ato rastet e mëparshme në dy vitet e fundit.

Apo, po llogaritet që Gjykata Kushtetuese i ka kryer punët me politikën kosovare për të gjitha temat të cilat u shfaqën si sprova politike dhe kushtetuese pas zgjedhjeve paraprake.

Nuk ka gjë pra të panjohur. Dhe kush nuk di se çka do të bëhet tash e tutje në këtë politikën kosovare.

Por, t’i kthehemi tani atij konstatimi në kryefjalën e këtij shkrimi, që shfaq pretendimet të cilat deri më tash (së paku), janë më shumë deklarative, më shumë shfaqje dëshirash se sa përpjekje efektive për ta gjetur disi një figurë politike apo edhe a politike e cila do të mund t’i përmbushte kriteret i të qenit i pranueshëm për të gjithë.

Në një ambient politik dhe shoqëror që shquhet me dallimet e të gjitha llojeve, madje, të veçimeve gjithnjë e më të mëdha, më të zëshme dhe më të dukshme, kërkimi i një figure të këtillë duket mision i pamundur.

Apo, së paku neve që jetojmë tash e sa vite në këtë ambient politik, diçka e tillë na duket e barabartë me fantastikën shkencore.

Në të vërtetë, ndër ne, së paku në rrethanat e tanishme, ka më së shumti fjalë e më së paku përpjekje për t’i krijuar, së paku përkohësisht, së paku në respektim të interesave strategjik të Kosovës (duhet pasur të gjitha adresat e pushtetit qendror të krijuara sa më parë në përballje me këto zhvillimet krejtësisht të paparashikueshme ndërkombëtare, por edhe me rrjedhat që mund të parashikohen lehtë në Serbi dhe në rajon), rrethanat që do të bashkonin të gjitha subjektet politike në vend, që kanë peshë dhe vlerë, në kërkim të këtij presidenti konsensual.

Pasi nuk u bë gjë me metodën e kompromisit politik, i cili është më lehtë i arritshëm (në parim), atëherë imponohet aplikimi i konsensusit, apo i një marrëveshje të përgjithshme midis të gjithëve për një çështje që do të duhej të shihej prej tyre si interes i përbashkët dhe madje, si interes jetik për vendin.

Nuk mund të ketë, realisht, konsensus të pjesshëm në këtë aspekt. Nuk qëndron diçka e tillë as politikisht dhe as logjikisht.

Por ditët po kalojnë. Dhe përditë e më pak ka gjasa që të dalim disi nga ky qorrsokak ku jemi futur vet, pa ndihmën e askujt.

Të ngjashme