Ku po e shihni ndër shqiptarët e Kosovës “Islamin politik”?

Prishtinë | 25 Gus 2026 | 10:51 | Nga Milazim Krasniqi

Ja si është gjendja politike në Kosovë në 40 vitet e fundit: shumica absolute e shqiptarëve muslimanë e kanë votuar Ibrahim Rugovën dhe LDK-në (1992-2006.)

Asnjë lidhje me ide të Islamit politik nuk ka pasur Ibrahim Rugova dhe LDK-ja. Shqiptarët muslimanë e kanë votuar mandej Hashim Thaçin dhe PDK-në, i cili ka qenë partner i afërt i SHBA-së dhe asnjë lidhje me Islamin politik nuk e ka pasur asnjëherë. Pastaj e kanë votuar dhe po e votojnë Albin Kurtin dhe LVV, i cili është majtist dhe nuk ka lidhje me Islamin politik. E kanë votuar rregullisht edhe Ramush Haradinajn dhe AAK, që poashtu nuk ka asnjë lidhje me Islam politik. Pra, shumica absolute e shqiptarëve muslimanë kanë votuar e votojnë lider e parti që nuk kanë lidhje me Islamin politik.

Disa parti me orientime islame qenë formuar, por asnjëra nuk e ka kaluar pragun. Pra, edhe nëse ka pasur ndonjë tentim të Islamit politik, është refuzuar. Kështu është gjendja edhe sot.Nuk duhet të fshihet e vërteta se ka pasur disa hoxhallarë, që si individ, me raste, kanë folë fjalë të papeshuara politikisht, por nuk e kanë përfaqësuar Bashkësinë Islame të Kosovës. BIK në këtë aspekt ka qenë e qartë, respektuese e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Realiteti është kështu.

Deklaratat se shërbimet serbe kanë targetuar njerëz të Islamit politik, nuk ka pse mirret me emocione të forta. E vërteta është se shërbimet serbe targetojnë njerëz ku të munden, pra edhe te grupe islame, edhe te lëvizjet antiislame, edhe te bizneset, edhe te politika, gjithkund.

Por një gjë është e sigurt: targetimi nga shërbimet bëhet për personat që kanë ndikim, që kanë informacione, që janë në vendimmmarje. Ndërsa pikërisht pjesëtarët e supozuar të të ashtuquajturit “Islam politik”, janë margjinalë, janë larg pushtetit, jashtë vendimmarjes, jashtë ndikimit në rrjedhat politike, ekonomike, fetare, arsimore.

Të ngjashme