Gërvalla mbledh institucionet përgjegjëse pas vrasjes së gruas shtatzënë në Malishevë

Prishtinë | 26 Gus 2026 | 08:15 | Nga Ekonomia Online

Pas rastit tragjik të vrasjes së gruas 25-vjeçare shtatzënë në fshatin Kërvasari të Malishevës, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, njëherësh Koordinatorja Kombëtare kundër Dhunës në Familje, Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës me Bazë Gjinore, Donika Gërvalla, ka mbajtur takim me përfaqësues të Policisë së Kosovës, Prokurorisë, Gjykatës dhe Qendrës për Punë Sociale.

Takimi u mbajt me qëllim të shqyrtimit të funksionimit të mekanizmave institucionalë dhe të ndërmarrjes së masave të nevojshme për parandalimin e rasteve të dhunës.

“Rastet e tilla na obligojnë të ndalemi, të shohim me përgjegjësi të plotë funksionimin e mekanizmave institucionalë dhe të bëjmë gjithçka që është e mundur për të parandaluar përsëritjen e tyre. Por çdo jetë e humbur na obligon të bëjmë më shumë, shumë më herët, të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të parandaluar rastin tjetër”, tha Ministrja Gërvalla.

Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe përgjegjësisë së të gjitha institucioneve në parandalimin e dhunës.

“Parandalimi kërkon vigjilencë, përgjegjësi dhe bashkëpunim të plotë mes institucioneve. Secili duhet të jetë në nivelin e detyrës, të veprojë me kohë dhe të mos lejojë asnjë hallkë e sistemit të dështojë”, tha Ministrja Gërvalla.

Tutje, ajo tregoi se sipas informacioneve të institucioneve përgjegjëse, bashkëshorti i viktimës është i dyshuari për rastin ndërsa viktima nuk rezulton të ketë qenë më parë e evidentuar në ndonjë situatë që do të sinjalizonte një rrezik të tillë.

“Tashmë është e domosdoshme që të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme dhe rasti të zbardhet plotësisht”, theksoi Gërvalla.

Ministrja Gërvalla kërkoi që të gjitha rrethanat e rastit të hetohen nga organet kompetente dhe që përgjegjësia të përcaktohet në përputhje me ligjin.

“Përgjegjësia duhet të përcaktohet nga organet kompetente dhe asnjë rrethanë e rastit nuk duhet të mbetet pa u hetuar”, tha ajo.

Duke ritheksuar qëndrimin institucional, Ministrja Gërvalla tha se nuk do të ketë asnjë kompromis ndaj dhunës.

“Për dhunën nuk ka justifikim. Do të ketë zero tolerancë dhe asnjë kompromis ndaj saj. Mbrojtja e jetës dhe sigurisë së çdo gruaje dhe çdo qytetari është përgjegjësi e padiskutueshme institucionale. Do të vazhdojmë të punojmë me të gjitha institucionet për parandalimin e dhunës, mbrojtjen e viktimave dhe forcimin e çdo mekanizmi që mund të shpëtojë një jetë”, deklaroi Ministrja Gërvalla.

Të ngjashme