“Kosova nuk ishte vetëm”, Universiteti i Prishtinës nderon çiftin DioGuardi me titullin “Doctor Honoris Causa”

Prishtinë | 26 Gus 2026 | 12:44 | Nga Ekonomia Online

Ish-kongresisti amerikan Joseph J. DioGuardi dhe bahskëshortja e tij Shirley C. DioGuardi janë nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa”, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre të gjatë në mbështetje të Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve, raporton Ekonomia Online.

Në një ceremoni solemne, u vlerësua angazhimi i tyre politik, diplomatik dhe njerëzor, si dhe roli që patën në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe forcimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu tha se ceremonia nuk ishte vetëm nderim për dy personalitete të shquara, por edhe për miqësinë, përkushtimin dhe një kapitull të rëndësishëm të historisë së përbashkët të Kosovës me miqtë e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Sot nuk po nderojmë vetëm dy personalitete të shquara, kongresistin Joe DioGuardi dhe veprimtaren Shirley Cloyes DioGuardi, por po nderojmë një miqësi, një përkushtim dhe një kapitull të rëndësishëm të historisë sonë të përbashkët. I kanë dhënë Kosovës zë atëherë kur zëri i saj mezi dëgjohej. I kanë dhënë miqësi atëherë kur ajo kishte shumë nevojë për miq, dhe i kanë dhënë shpresë atëherë kur shpresa ishte ndër gjërat më të rralla”, tha ai.

Hajrullahu kujtoi poezinë “Jepni për Nënën” të Fan Stilian Nolit dhe vargjet “Mbahu nënë, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”, duke thënë se në vitet ’80 dhe ’90, kur populli i Kosovës përballej me represion, diskriminim dhe shkelje të të drejtave themelore njerëzore e politike, këto vargje u kthyen në një lloj premtimi moral se Kosova nuk ishte vetëm.

Ai tha se në vitet më të rënda, kur e ardhmja e Kosovës ishte e pasigurt, populli i Kosovës e dinte se kishte zëra të fuqishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Njëri prej atyre zërave ishte Joseph DioGuardi, i cili së bashku me Shirley Cloyes DioGuardin, me shqiptaro-amerikanët dhe me miqtë e tyre brenda institucioneve amerikane, punuan me një përkushtim të jashtëzakonshëm që e vërteta për Kosovën të dëgjohej, që padrejtësia të mos normalizohej dhe që një popull i shtypur të afrohej hap pas hapi drejt lirisë, demokracisë dhe pavarësisë”, tha Hajrullahu.

Ai përmendi gjithashtu punën informuese dhe ndërgjegjësuese të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, me Joseph dhe Shirley DioGuardin në ballë, duke veçuar vizitën e 29 gushtit 1990, kur shtatë senatorë amerikanë, të udhëhequr nga Robert Dole, erdhën në Prishtinë për një mision faktmbledhës.

Sipas Hajrullahut, takimi i senatorëve amerikanë me presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, dhe përfaqësues të tjerë të lëvizjes politike të Kosovës, mbetet pjesë e pamohueshme e historisë së re të Kosovës.

“Ajo vizitë ishte më shumë se një takim politik, ishte një dëshmi se Kosova kishte filluar të hynte në ndërgjegjen politike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

Ndërkaq, profesoresha asistente Luljeta Plakolli-Kasumi, duke folur për veprën e Joseph J. DioGuardit dhe Shirley Cloyes DioGuardit, tha se për gati katër dekada ata formuan një partneritet unik që i dha Kosovës zë politik, bazë dokumentare, profil vullnetues dhe prezencë analitike në audiencat ndërkombëtare.

“Megjithatë, secili prej tyre ka kontribut të dalluar që meriton të trajtohet veçmas, sepse rruga e tyre drejt këtij angazhimi ishte e ndryshme, mjetet të cilat përdorën ishin komplementare dhe gjurmët që lanë janë po aq individuale sa edhe të përbashkëta”, tha ajo.

Ajo tha se Joseph J.DioGuardi ka lindur më 20 shtator 1940 në Bronx të Neë York-ut, në një familje me rrënjë arbëreshe, ndërsa para hyrjes në jetën politike kishte ndërtuar një karrierë profesionale si kontabilist i certifikuar publik.

Në vitin 1984, DioGuardi u zgjodh deputet i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Neë York-u, duke u bërë kontabilisti i parë i certifikuar që hynte në Kongresin Amerikan.

Gjatë kohës së tij në Kongres, krahas punës për reformën financiare federale dhe transparencën buxhetore, ai filloi të ngrejë zërin për gjendjen e shqiptarëve në Kosovë, në një periudhë kur kjo çështje pothuajse nuk ekzistonte në agjendën e politikës së jashtme amerikane.

Plakolli-Kasumi tha se në gjysmën e dytë të viteve ’80, kur autonomia e Kosovës po shkatërrohej sistematikisht, arsimi në gjuhën shqipe po mbyllej dhe shqiptarët po largoheshin nga vendet e tyre të punës, DioGuardi ishte ndër politikanët e parë amerikanë që tërhoqi vëmendjen e institucioneve amerikane për këto zhvillime.

“Në vend që të fliste për krizën, DioGuardi paralajmëroi për të”, tha ajo.

Ish-kongresisti amerikan Joseph J. DioGuardi tha se është shumë i prekur nga marrja e titullit “Doctor Honoris Causa”, duke theksuar se jetën e tij ua ka përkushtuar njerëzve dhe jo parasë.

“Kjo është një ngjarje kaq e mrekullueshme. Nuk e keni idenë se sa i prekur jam për këtë. U kam përkushtuar jetën time njerëzve të tjerë, jo parasë”, tha DioGuardi.

Ai tha se gjatë jetës së tij është angazhuar për të drejtat e njeriut dhe për njerëz të ndryshëm, duke përmendur edhe angazhimin e tij për njohjen dhe nderimin e heronjve me ngjyrë të luftërave amerikan.

DioGuardi foli edhe për rëndësinë e trajtimit të grave dhe familjes, duke thënë se është rritur në një familje ku ka parë nënën e tij duke e mbështetur babanë e tij shqiptar.

“Kjo është mënyra se si rriten fëmijët me vlera. Mënyra se si u rrita unë, përmes shembullit”, tha ai.

Ai theksoi se familja është një vlerë shumë e rëndësishme për popullin shqiptar dhe tha se dëshiron të kontribuojë në ndryshimin e historisë dhe në kundërshtimin e gënjeshtrave që, sipas tij, janë thënë për popullin shqiptar.

Ndërkaq, Shirley C. DioGuardi tha se ceremonia dhe prezantimi për punën e tyre ishin të jashtëzakonshme dhe të detajuara, duke kujtuar angazhimin e përbashkët gjatë luftës në Kosovë dhe rrugëtimin deri në ditët e sotme.

“Kjo ishte prezantimi më i shkëlqyer, një prezantim i detajuar”, tha ajo, duke shtuar se thellësia e prezantimit përmbledhte një histori të gjatë të angazhimit të tyre.

Ajo tha se kishte ardhur duke menduar se do të mbante vetëm një fjalim pranimi për titullin “Doctor Honoris Causa”, por ceremonia kishte sjellë shumë më tepër kujtime dhe tema për të cilat duhej të flitej.

“Është një nder dhe privilegj të jem me ju këtë mëngjes dhe ta pranoj këtë”, tha Shirley C. DioGuardi.

Ajo falënderoi rektorin Arben Hajrullahu dhe kolegët e tij për vendimin që t’i nderojnë me titullin “Doctor Honoris Causa”, duke thënë se e vlerësojnë thellësisht njohjen për punën e tyre dhe punën e Bordit të Drejtorëve të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Shirley C. DioGuardi tha se shumë prej anëtarëve të Ligës po festonin në Prishtinë përpjekjet për të mbajtur gjallë të kaluarën e historisë shqiptare të Kosovës dhe për të çuar përpara të ardhmen e Kosovës së bashku me trojet e tjera shqiptare.

Ajo përmendi se në këtë angazhim janë përfshirë njerëz nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe Çamëria.

Shirley C. DioGuardi tha gjithashtu se pas arritjes së pavarësisë së Kosovës, ajo dhe Joseph DioGuardi nuk kishin qenë në një pozitë për të vazhduar vizitat dhe angazhimet në të njëjtën mënyrë, duke shtuar se kishin vërejtur edhe ndryshime dramatike në qeverisje.

Të ngjashme