Çitaku: Liria e Kosovës mban brenda emra, fytyra dhe ëndrra të ndërprera

Prishtinë | 30 Gus 2026 | 19:18 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka vizituar së bashku me Diellin dhe Arbërin ekspozitën e organizuar nga “Liria Ka Emër”, në nderim të burrave dhe grave që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës.

Çitaku ka treguar se gjatë vizitës janë ndalur posaçërisht te skulptura e Leotrim Ahmetit, i cili ishte vrarë në moshën që sot kanë fëmijët e saj.

Ajo ka thënë se momenti kur Dielli dhe Arbëri u ndalën para skulpturës dhe deshën ta përqafonin atë, i ka mbetur në zemër.

“Dy fëmijë të Kosovës së lirë, duke dashur ta përqafojnë një fëmijë të Kosovës që nuk arriti ta jetonte lirinë”, ka shkruar Çitaku.

Sipas saj, Leotrimi duhej të ishte rritur, të kishte shkuar në shkollë, të kishte luajtur, të kishte bërë miq dhe të kishte ndërtuar jetën e ëndrrat e tij, por lufta ia mori të gjitha këto.

Çitaku ka theksuar se liria e Kosovës nuk është vetëm një fjalë dhe as diçka që është dhuruar, por se ajo mban brenda emra, fytyra, jetë të ndërprera dhe ëndrra që nuk patën mundësi të bëhen realitet.

Ajo ka shtuar se kuptimi më i madh i sakrificës është që fëmijët e Kosovës së lirë të rriten pa frikë, pa luftë dhe pa ikje, ndërsa sakrifica e mijëra fëmijëve që patën një fëmijëri të ndërprerë nga lufta të mbetet histori që duhet njohur dhe të mos harrohet kurrë.

“Që ata të rriten të lirë. Të ëndërrojnë të lirë. Dhe të dinë gjithmonë çfarë çmimi është paguar për lirinë e tyre”, ka përfunduar Çitaku.

Të ngjashme