Me kërkesë të mbrojtjes, ndërpritet seanca fillestare ndaj Sinisha Spasiq i akuzuar për krime lufte në Vushtrri

Prishtinë | 31 Gus 2026 | 11:46 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është ndërprerë seanca fillestare ndaj të akuzuarit Sinisha Spasiq, i cili ngarkohet se mori pjesë në ofensivën ushtarake serbe në fshatin Reznik të Vushtrrisë më 4 prill 1999, dhe bashkë me pjesëtarë të tjerë të armatosur, vranë anëtarët e familjes Ujkani. Seanca u ndërpre pasi mbrojtja kërkoi kohë për t’u njohur me aktakuzën.

Në fillim të seancës, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, duke iu referuar komunikmeve përmes e-maileve zyrtare të Prokurorisë dhe mbrojtjes, tha se rezulton se Prokuroria ia kishte përcjellë mbrojtjes shkresat e lëndës, mirëpo avokati nuk ishte paraqitur për t’u pajisur me to, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Andaj, gjykatësja Namani-Hajra e pyeti mbrojtësin e Spasiq, avokatin Ljubomir Pantoviq nëse është i gatshëm të vazhdohet me leximin e aktakuzës.

Avokati Pantoviq tha se deri në mëngjes kishte qenë larg Kosovës dhe se nuk e kishte pranuar e-mailin e Prokurorisë. Tha se me prokuroren kanë bashkëpunim të mirë dhe se ndërkohë tani ishte pajisur me shkresat e lëndës.

Avokati shtoi se i pandehuri vetëm pak minuta para fillimit të seancës e kishte pranuar aktakuzën, andaj sipas tij, i njëjti duhet të ketë kohë për ta lexuar dhe për t’u njohur me përmbajtjen e saj.

“Është e nevojshme që i pandehuri ta lexojë aktakuzën, që të njihet me të dhe pastaj të konsultohet me avokatin, që të deklarohet në tërësi”, tha avokati Pantoviq.

Pantoviq kërkoi që seanca të shtyhet për një ditë tjetër, në mënyrë që t’i jepet mundësi të akuzuarit të njihet me aktakuzën.

Lidhur me kërkesën e mbrojtjes, prokurorja Florije Salihu-Shamolli deklaroi se më 9 gusht 2026, përmes e-mailit, e kishte njoftuar avokatin që të paraqitej në PSRK dhe të pajisej me shkresat e lëndës.

Mirëpo, prokurorja deklaroi se nuk kishte marrë përgjigje, dhe më 25 gusht 2026, përmes numrit të telefonit, e kishte ftuar sërish avokatin, por edhe atëherë nuk kishte marrë përgjigje.

“Unë për këtë e kam njoftuar edhe Gjykatën përmes e-mailit zyrtar”, deklaroi prokurorja Salihu-Shamolli.

Prokurorja tha se për këtë arsye e kishte konsideruar të arsyeshme që t’i sillte shkresat e lëndës në seancën e sotme. Shtoi se çështjen për caktimin e vazhdimit të seancës ia lë në kompetencë Gjykatës.

Pas dëgjimit të palëve, gjyqtarja e rastit Violeta Namani-Hajra mori vendim me të cilin aprovoi propozimin e mbrojtjes dhe vendosi që seanca të shtyhet për një ditë tjetër.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 gusht 2026 ka ngritur aktakuzë ndaj Sinisha Spasiqit, i cili ngarkohet se mori pjesë në ofensivën ushtarake serbe në fshatin Reznik të Vushtrrisë më 4 prill 1999, dhe bashkë me pjesëtarë të tjerë të armatosur, vranë anëtarët e familjes Ujkani. Aktakuza ndaj Spasiqit u ngrit me propozim për vazhdim të paraburgimit, masë në të cilën ndodhet nga gushti i vitit të kaluar.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, Sinisha Spasiq i njohur me nofkën “Krcko” akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 4 prill 1999, rreth orës 15:00 në fshatin Reznik të Vushtrrisë, në bashkëpunim edhe me pjesëtarë të tjerë të uniformuar, së bashku me të akuzuarin Slagjan Trajkoviq (tani i dënuar nga shkalla e parë) dhe disa persona të tjerë të paidenfitikuar, i armatosur dhe i veshur me uniforma të policisë dhe ushtrisë serbe, gjatë një aksioni nga këto forca, me qëllim të vrasjes së banorëve të pafajshëm civilë shqiptarë, fillimisht këto forca u vendosën në shtëpinë e Shaip Zenelit, të cilën shtëpi policia dhe ushtria serbe po e shfrytëzonin si shtab dhe nga aty merrnin urdhrat nga i akuzuari Zoran Kostiq (tani i dënuar nga shkalla e parë).

Aktakuza thotë se pasi merrnin urdhrin nga Kostiqi, filluan duke plaçkitur, djegur shtëpitë  e shqiptarëve në fshatin Reznik, duke hyrë në shtëpitë e tyre dhe vranë anëtarët e familjes Ujkani (I.U., M.U., me bashkëshorte, B.U., kurse F.U., dhe S.U., i dogjën për së gjalli. F.U., po ashtu e vranë në ditën kritike, si dhe T.U., me bashkëshorten H.U., dhe pas vrasjes së tyre, ua vënë flakën shtëpive dhe dogjën disa prej vitimave.

Në aktakuzë thuhet se të njëjtit persona, vazhduan së bashku me të pandehurin Spasiq të armatosur dhe disa nga ta të përgjakur me rrobat e trupit shkuan në shtëpinë e Naim Ujkani, ku hyjnë në oborr dhe takojnë B.U., të cilës në fillim i kërkojnë para, e që ajo ua dha rreth 300 DM dhe posa marrin paratë, me dhunë e dërgojnë në katin e dytë të shtëpisë, të cilën e mbajnë përafërsisht një orë duke e rrahur me grushta, shqelma, duke e goditur vazhdimisht në pjesë të ndryshme të trupit.

Sipas aktakuzës, nga këto goditje, pos lëndimeve trupore, B.U., ia thyejnë dhëmbët, kurse Naim dhe Xhevahire Ujkani, i vendosin në dhomën e katit të parë të shtëpisë, duke mos i lejuar që të dalin nga dhoma, kurse i pandehuri Sinisha i armatosur  tërë kohën qëndron tek dera e shtëpisë duke i ruajtur Naim dhe Xhevahire Ujkanin duke mos i lejuar të dalin nga dhoma. Aty thuhet se në atë moment Xhevahirja alivanoset pasi që nuk dëgjon më zërin e vajzës së vet B.U., duke menduar se e kanë vrarë. Më pas, thuhet se B.U., e zbresin nga kati i dytë duke e rrahur tërë kohën dhe e dërgojnë tek shtëpia e Agim Ujkanit.

Me këto veprime, Sinisha Spasiq akuzohet se ka kryer veprat penale “Krime lufte kundër popullatës civile” e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Kodit Penal të RSFJ, aktualisht e penalizuar me nenet 31 dhe 146 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme