Në Gjenevë diskutohet për personat e zhdukur në Kosovë: Kërkimi nuk mund të ndalet

Prishtinë | 31 Gus 2026 | 21:26 | Nga Ekonomia Online

Në Gjenevë është organizuar një tryezë diskutimi kushtuar çështjes së personave të zhdukur me dhunë në Kosovë, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 30 Gushtit – Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë.

Në tryezën e organizuar në Gjenevë morën pjesë si panelistë kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Agron Limani, udhëheqësi i Njësisë së Komisionit, Kushtrim Gara, si dhe presidentja e Kopshtit të të Zhdukurve në Gjenevë, Catherine Haus.

Në hapje të aktivitetit, Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë, Floreta Kabashi, u uroi mirëseardhje pjesëmarrësve dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe angazhimit të përbashkët për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar, Agron Limani, në fokus të fjalës së tij vendosi të drejtën e familjeve për të mësuar fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre. Ai rikujtoi se, edhe 27 vjet pas përfundimit të luftës, 1,564 persona vazhdojnë të jenë të evidentuar si të zhdukur nga lufta në Kosovë.

Limani theksoi se kërkimi nuk mund të ndalet me kalimin e viteve dhe se çdo rast i pazgjidhur përbën një përgjegjësi të papërfunduar institucionale.

Në këtë drejtim, ai kërkoi vazhdimin e kërkimeve, sigurimin e informatave të reja, hapjen e arkivave relevante nga institucionet e Serbisë, përdorimin e ekspertizës dhe teknologjisë, si dhe respektimin dhe informimin e familjeve në çdo fazë të procesit.

Ndërkaq, udhëheqësi i Njësisë së Komisionit, Kushtrim Gara, foli për zhvillimin e kornizës ligjore dhe institucionale për trajtimin e çështjes së personave të zhdukur, si dhe për kalimin gradual të përgjegjësisë dhe pronësisë së procesit te institucionet e Republikës së Kosovës.

Gara vuri theksin edhe te pengesat që vazhdojnë ta vështirësojnë procesin, veçanërisht mungesa e bashkëpunimit nga Serbia, qasja e kufizuar në arkivat ushtarake dhe mungesa e informatave konkrete që do të mund të çonin në lokacione të reja dhe në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Presidentja e Kopshtit të të Zhdukurve në Gjenevë, Catherine Haus, ritheksoi mbështetjen për familjet e personave të zhdukur

Të ngjashme