Kryetari i Komunës së Rahovecit, gjatë protestës së sotme të komunave para Qeverisë së Kosovës, ka kërkuar krijimin e një mekanizmi të përhershëm për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, raporton Ekonomia Online.
“Sot po flas para jush jo vetëm si anëtar i bordit të Asociacionit të Komunave të Republikës së Kosovës, por edhe si kryetar i një komune, i njërës prej komunave që është përballur drejtpërdrejt me pasojat e vërshimeve.
Qytetarët e Rahovecit dhe jo vetëm të komunës së Rahovecit i kanë përjetuar në shtëpitë, në bizneset, në tokat bujqësore dhe pronat e tyre dëmet që shkaktojnë fatkeqësitë natyrore.
Fermerëve u janë dëmtuar tokat dhe kulturat bujqësore. Familjeve, shtëpitë dhe pasuritë. Bizneseve u janë shkaktuar humbje, ndërsa infrastruktura komunale ka pësuar dëme serioze.
Në këto situata, komuna është institucioni i parë që del në teren. Ajo mobilizon ekipet emergjente, hap rrugët, largon ujin dhe mbeturinat, ndihmon familjet, evidenton dëmet dhe angazhon të gjitha kapacitetet që ka në dispozicion.
Por mundësitë financiare të komunave janë të kufizuara. Komunat nuk mund t’i kompensojnë dëmet e mëdha të shkaktuara nga fatkeqësitë elementare natyrore.
Pas vlerësimit nga komisionet komunale, raportet dhe kërkesat i dërgohen nivelit qendror. Prej atij momenti përgjegjësia për vendimmarrjen dhe sigurimin e mjeteve është në duart e qeverisë.
Fatkeqësisht, shumë qytetarë, fermerë, biznese dhe komuna ende nuk janë kompensuar. Ka raste të dëmeve të evidentuara që nga viti 2022, të cilat vazhdojnë të mbesin pa u kompensuar.
Kjo pritje është e padrejtë. Fermeri që humb prodhimin e një viti nuk mund të presë pafundësisht. Familja, secilës i është dëmtuar shtëpia, nuk mund të jetojë me premtime. Biznesi që ka pësuar humbje nuk mund të vazhdojë punën pa mbështetje.
Prandaj kërkojmë nga qeveria të krijojë një mekanizëm të qartë, të drejtë dhe të përhershëm për kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore. Kërkojmë që raportet e dorëzuara nga komunat të trajtohen menjëherë dhe të kompensohen qytetarët, fermerët, bizneset dhe infrastruktura komunale”, ka thënë Latifi.
Sipas tij, solidariteti institucional nuk dëshmohet vetëm me vizita në teren dhe deklarata politike e publike.
“Solidariteti institucional nuk dëshmohet vetëm me vizita në teren dhe deklarata politike e publike. Ai dëshmohet me vendime, me mjete financiare dhe me ndihmë konkrete për njerëzit e prekur.
Të nderuar pjesëmarrës, edhe granti i performancës komunale është shembull i trajtimit të padrejtë ndaj komunave. Në ligjin për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026 janë planifikuar 8 milionë euro nga buxheti i shtetit për këtë grant. Megjithatë, komunave fituese u janë shpërndarë vetëm 2 milionë euro nga pjesa e financimit shtetëror. Pra, mungojnë 6 milionë euro të miratuara me ligj.
Këto mjete nuk janë shpërblim publik dhe as favor i një ministrie. Janë mjete të përcaktuara me ligjin e buxhetit dhe u takojnë komunave që i kanë plotësuar kriteret.
Komunat kanë vlerësuar, kanë investuar kohë, staf dhe burime për t’i përmirësuar shërbimet dhe për t’i përmbushur treguesit e performancës. Pas shpalljes së rezultateve, ato kanë planifikuar projekte konkrete për qytetarët.
Ndryshimi i shumës pas përfundimit të procesit cenon sigurinë juridike, besimin institucional dhe vetë qëllimin e skemës së performancës.

