Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj V.M., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, V.M. dyshohet se më 1 nëntor 2025 ka ndihmuar persona të tjerë në një sulm ndaj të dëmtuarit M.V.
Prokuroria pretendon se V.M. kishte fotografuar automjetin e M.V. pranë shtëpisë së tij dhe fotografitë ia kishte dërguar A.F.-së. Më pas, pasi M.V. ishte nisur drejt një lokacioni në fshatin Kapuricë të Leposaviqit për të blerë mjaltë, V.M. dyshohet se e kishte njoftuar A.F.-në për lëvizjen e tij.
Kur M.V. kishte arritur në lokacion, sipas aktakuzës, persona të panjohur e kishin plagosur dhe rrëmbyer, duke e dërguar më pas në territorin e Serbisë.
Në një rast tjetër, gjatë kontrollit në shtëpinë e V.M.-së në fshatin Leshak, janë gjetur dhe sekuestruar një armë gjuetie dy tytëshe, një tytë e armës së gjatë, një jelek gjuetie me 28 fishekë dhe 11 fishekë të tjerë.
Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë që V.M. të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.