Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar miratimin e Kushtetutës së Kaçanikut, 36 vjet më parë, duke e cilësuar atë si aktin që e ndau Kosovën nga Serbia dhe Jugosllavia e atëhershme.
Haradinaj ka shprehur mirënjohje për delegatët e asaj kohe, të cilët, sipas tij, në rrethana të vështira, me guxim dhe vizion përfaqësuan aspiratën e popullit shqiptar për liri dhe vendosën themelet e shtetësisë e pavarësisë së Kosovës.
“Para 36 vjet, në Kaçanik, delegatët e Kuvendit të Kosovës aprovuan Kushtetutën e Kosovës, si akti që e ndau Kosovën prej Serbisë dhe Jugosllavisë së atëhershme, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut. Me nderimin më të lartë kujtojmë delegatët e asaj kohe, të cilët në rrethana të vështira, me guxim dhe vizion, përfaqësuan aspiratën e kahmotshme të popullit shqiptar për liri dhe vendosën themelet e shtetësisë e pavarësisë së Kosovës. Mirënjohje e përjetshme për kontributin e tyre të pamohueshëm”, ka shkruar Haradinaj.