Edhe në rigjykim për “53-milionëshin”, Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e 8 muaj burgim efektiv

Prishtinë | 09 Sht 2026 | 10:32 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në procesin e rigjykimit lidhur me rastin e njohur si “53-milionëshi”, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, të cilët ngarkohen për keqpërdorim të detyrës lidhur me autostradën “Arbën Xhaferi”. Të akuzuarit u dënuan sikurse në gjykimin e parë- Lekaj me 3 vjet e 8 muaj burgi, Tahiri dhe Shatri me nga 1 vit e 8 muaj burigm, dhe Berisha me 3 vjet e 3 muaj burgim.

Në këtë rast, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI, ngarkoheshin nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi është marrë të mërkurën nga trupi gjykues i përbërë nga Violeta Namani-Hajra- kryetare, Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala-Abdyli-  anëtarë.

Sipas vendimit, Lekaj u shpall fajtor dhe u dënua me 3 vjet e 8 muaj burgim. Ndaj tij u shpall edhe dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike në kohëzgjatje prej 3 vjet e 6 muaj.

Besim Tahiri u shpall fajtor dhe u dënua me 1 vit e 8 muaj burigm. Edhe ndaj tij u shpall dënimi plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike për 2 vjet.

Eset Berisha u shpall fajtor dhe u dënua me 3 vjet e 3 muaj burgim. Ndaj tij u shpall edhe dënimi plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike për 3 vjet.

Kurse, Nebih Shatri u shpall fajtor dhe u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tij u shpall dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike për 2 vjet.

Prezent në shpallje ishin prokurori special Valdet Gashi, mbrojtësi i Lekajt- avokati Artan Qerkini, mbrojtësi i Berishës- avokati Afrim Salihu dhe mbrojtësi i Tahirit, avokati Urim Vokshi.

Ndryshe, ish-kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama kishte refuzuar kërkesën për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra nga gjykimi i rastit të njohur si “53-milionëshi”, kërkesë kjo e parashtruar nga i akuzuari Eset Berisha.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar 2024 i shpalli fajtorë dhe i dënoi me 10 vjet e 3 muaj burigm (së bashku): Pal Lekajn, Eset Berishën, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin për rastin e njohur si “53-milionëshi”.

Sipas aktgjykimit të Themelores, Pal Lekaj ishte dënua me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata kishte shpall edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.

Nebih Shatri ishte dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim, kurse Besim Tahiri ishte dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tyre ishte shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Ndërsa, Eset Berisha ishte dënuar me 3 vite e 3 muaj burgim.

Po ashtu, ndaj Berishës ishte shpall edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

Por, Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim rastin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit.

Të ngjashme