Prokuroria: Dëshmitari i parë që ishte shënjestruar nga Hashim Thaçi ishte Sylejman Selimi

Prishtinë | 10 Sht 2026 | 14:17 | Nga Ekonomia Online

Sipas prokurorit, dëshmitari i parë që ishte shënjestruar nga Hashim Thaçi ishte Sylejman Selimi.

Ai deklaroi se Hajredin Kuçi kishte pranuar t’ia përcillte mesazhet këtij dëshmitari, i cili njihet edhe si dëshmitari 5.

Më pas, në sallën e gjyqit u prezantua një audio-incizim. Prokurori tha se në të dëgjohej Thaçi duke i dhënë Kuçit udhëzime lidhur me atë se çfarë duhej t’i përcillte Sylejman Selimit.

Më tej, sipas prokurorit, nëpërmjet pëshpëritjeve, Thaçi i kishte dhënë Kuçit udhëzime edhe për mënyrën se si duhej të dëshmonte Bislim Zyrapi.

Sipas tij, qëllimi i Thaçit ishte që e kaluara të paraqitej në një mënyrë që do të ishte në favor të tij.

“Thaçit i nevojitej që Zyrapi të jepte përgjigje të sakta për strukturën e Shtabit të Përgjithshëm dhe përgjegjësinë e personave, përfshirë edhe Thaçin, që të minimizonin përgjegjësinë penale të Thaçit përpara nëntorit të 1998-s”, tha Hafetz.

Prokurori tha se Thaçi kishte kërkuar qartësisht që të përjashtohej nga përgjegjësia periudha e verës së vitit 1998.

Sipas Hafetzit, në dëshminë e tij të mëparshme, Zyrapi e kishte përshkruar Thaçin si person mbi Shtabin e Përgjithshëm. Për këtë arsye, sipas prokurorit, ishte e nevojshme që ky qëndrim të ndryshohej.

“Vetë Kuçi nuk ka qenë pasiv, ai u pajtua se ky dëshmitar duhet të ndryshojë dëshminë që t’i përshtatej kërkesave të Thaçit”, tha ai.

Pas diskutimit për Zyrapin, prokurori tha se në bisedat me Kuçin, Thaçi kishte kaluar te një tjetër dëshmitar, i cili ishte edhe viktimë në një rast që lidhej me krime lufte.

Sipas prokurorisë, Thaçi ishte i shqetësuar se ky dëshmitar mund ta përfshinte drejtpërdrejt në krimet që janë objekt i çështjes 06.

“Për Thaçin ishte thelbësore që Thaçi të mos implikohej. Është e qartë nga incizimet se Thaçi donte nga Kuçi që ta trajtonte këtë problem menjëherë, sepse dëshmitari shumë shpejt do të vinte për të dhënë dëshmi”, tha Hafetz.

Prokurori Joshua Hafetz deklaroi se Isni Kilaj, gjatë vizitave të tij, kishte shfaqur qartë synimin për të penguar procesin gjyqësor dhe për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në rastin ku Hashim Thaçi përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Përveç rolit që, sipas prokurorit, kishte pasur në përcjelljen e udhëzimeve, Kilaj gjatë vizitës së 6 tetorit 2023 kishte pasur në posedim edhe materiale konfidenciale të ZPS-së.

“Këto nuk ishin dokumente rastësore, ishin disa nga dokumentet më delikate që kishte dorëzuar ZPS-ja dhe që kishte ndarë me të akuzuarit në mënyrë konfidenciale në çështjen 06”.

Sipas prokurorit, në mesin e materialeve kishte edhe përmbledhje të detajuara që përmbanin informacion mbi dëshminë e pritshme të një dëshmitari të Prokurorisë.

“Me fjalë të tjera, në duar të gabuara, një udhërrëfyes për të shënjestruar dëshmitarët me qëllim të ndërhyrjes ndaj tyre. Ne, të paktën e dimë se Kilaj ka marrë të paktën pesë përmbledhje konfidenciale nga këto materiale konfidenciale të ZPS-së dhe i ka futur në një program përkthimi në laptopin e vet”, tha ai.

Hafetz shtoi se, sipas prokurorisë, nuk kishte ndonjë arsye të ligjshme që Kilaj t’i posedonte këto materiale konfidenciale që lidheshin me dëshmitarët e prokurorisë.

Ai argumentoi se posedimi i tyre nuk ishte i rastësishëm, pasi secila prej përmbledhjeve përmbante të dhëna lidhur me keqtrajtimin e të njëjtit dëshmitar, i cili pritej të paraqitej për të dëshmuar në rastin për krime lufte.

Sa i përket dëshmisë së dëshmitarit 4, prokurori tha se pritej që gjatë dëshmisë të trajtoheshin pyetje mbi përfshirjen e Thaçit në keqtrajtimin e pretenduar të tij.

Sipas Prokurorisë, ndaj këtij dëshmitari ishte tentuar të ushtrohej ndikim përmes Isni Kilajt dhe Vllaznim Kryeziut.

“Thaçi shqetësohej se mos dëshmitari 4 e implikonte Thaçin në atë se çfarë i kishte ndodhur atij”.

Të ngjashme