Gjashtë vjet larg babait, Altini me dedikim emocional për Jakup Krasniqin

Prishtinë | 04 Nën 2026 | 09:50 | Nga Ekonomia Online

Sot, më 4 nëntor, janë bërë gjashtë vjet nga arrestimi i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe dërgimi i tij në Hagë.

Me këtë rast, djali i tij, deputeti Altin Krasniqi, ka publikuar një dedikim emocional, duke shprehur dhimbjen dhe mallin për babanë, i cili prej gjashtë vjetësh ndodhet larg familjes.

“Babë, sot u bënë 6 vjet… Asnjëherë nuk e kam pasur më të vështirë se këtë herë të shkruaj për këtë ditë. Herëve tjera, sado e rëndë ishte pritja, e mbanim një shpresë në zemër, besonim se në fund do të kishte drejtësi, se një ditë kjo padrejtësi do të merrte fund dhe ti do të ktheheshe në shtëpi”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka theksuar se vitet që po kalojnë dhe mungesa e babait në familje janë ndër dhimbjet më të mëdha për të.

“E di, babë, që je plakur. E di që je lodhur. E di se sa e vështirë është ta kalosh çdo ditë të mbyllur, larg familjes, larg shtëpisë, larg njerëzve që të duan. E di se sa shumë të kanë munguar vitet që askush nuk mund të t’i kthejë më”, ka shkruar ai.

Altin Krasniqi ka thënë se babai i tij e ka merituar që vitet e pleqërisë t’i kalojë pranë bashkëshortes, fëmijëve dhe familjes.

“Ti e ke merituar, babë, që pleqërinë ta kaloje pranë mamit, në shtëpinë, mes fëmijëve e njerëzve të tu. E ke merituar t’i shijosh ditët pa brenga, ta pish kafenë në qetësi”, ka shkruar ai.

Në fund të dedikimit, deputeti Krasniqi ka shprehur shpresën se këto do të jenë vitet e fundit që babai i tij i kalon larg familjes.

“U bëfshin këto gjashtë vjet të fundit larg nesh, babë. Ne ende po presim ditën kur do të të përqafojmë sërish, jo për të të përshëndetur e për t’u ndarë, por për të mos të të lëshuar më nga krahët tanë. Të duam pafund, babë”, ka përfunduar Altin Krasniqi.

Të ngjashme