Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza është deklaruar para mediave, raporton Ekonomia Online.
Pas takimit mes Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të partisë, Hamza tha se beson se do të takohet me të gjithë krerët e partive politike të Kosovës.
“Është një konstatim i përgjithshëm se vendimi është i padrejtë, është i paqëndrueshëm, i pabazuar në fakte. Është një vendim i cili e dëmton historinë të ardhmen e Kosovës. Një vendim i një gjykate e cila e ka devijuar komplet drejtimin e saj në raport me ato për çka është votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha ai.
“Bazë për krijimin e kësaj gjykate ka qenë raporti i Dick Marty-it, akuzat e tmerrshme brenda raportit të Dick Marty-it dhe çështja ka devijuar komplet në diçka tjetër dhe kryesisht e pabazuar në fakte dhe në prova konkrete. Partia Demokratike e Kosovës, unë si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, do t’i bëj të gjitha përpjekjet e nevojshme që të jem në komunikim për shkak të ndjeshmërisë së situatës, seriozitetit të situatës, situatës ku ndodhet vendi, sepse kjo situatë i jep një mundësi që në të ardhmen shteti agresor që ka qenë në Kosovë, Serbia, ta përdorë për dëmtimin e Kosovës. Unë do të besoj, do të takohemi me të gjithë liderët e subjekteve politike, sepse kjo nuk është çështje më që i takon një subjekti politik. Ato të dënuar që ende janë të pafajshëm se ka edhe shkallë të tjera të gjykatave, por në këtë shkallë nuk janë shkuar atje si anëtarë të ndonjë subjekti politik, janë si ish-ushtarë, si ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Besoj në bashkëpunimin me subjektet e tjera politike, në krijimin e një konsensusi të nevojshëm dhe ne si Partia Demokratike e Kosovës do të dalim me veprime konkrete, tu përfshirë edhe ato ligjore edhe demokratike. Ligjore do të thotë përmes iniciativave ligjore, demokratike ne e njohim të drejtën e njerëzve për të protestuar, e njohim të drejtën e njerëzve për me shfaqë mospajtimin me një vendim a qëndrim të caktuar, por megjithatë për hir të vendit, seriozitetit të situatës, kërkojmë që gjithçka të jetë brenda rregullave demokratike dhe të jetë në atë formë nga kushdo qoftë që të jetë e kujdesshme dhe në asnjë formë të dëmtohet askush, asnjë institucion, asnjë person, asnjë njeri në Republikën e Kosovës”, tha ai.
