Shenoll Muharremi ka reaguar në një postim në facebook , pas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) për rastet e virusit të Nilit Perëndimor në Kosovë.
“Instituti i Shëndetësisë po raporton se kemi pasur SHTATË RASTE të infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor. Prej tyre, kemi, dy vdekje!, deri më tani”, ka shkruar Muharremi.
Ai ka thënë se Gjakova aktualisht është rajoni me më së shumti raste.
“Gjakova po duket me qenë aktualisht rajoni me më së shumti raste deri tani, gjithsej 3. Nga një rast është raportuar në Prishtinë, Shtime, Ferizaj dhe Pejë”, ka shkruar ai.
Muharremi ka kujtuar se virusi i Nilit Perëndimor përhapet te njerëzit kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.
“Vetëm një nga shtatë personat ka udhëtuar jashtë vendit, që do të thotë se virusi nuk po importohet vetëm nga jashtë, por po qarkullon edhe brenda vendit”, ka shkruar Muharremi.
Ai ka kërkuar kujdes dhe angazhim nga institucionet dhe qytetarët për parandalimin e përhapjes së virusit.
“Kjo kërkon kujdes maksimal dhe angazhim nga institucionet dhe individët për t’u mbrojtur nga ky virus, por mbi të gjitha për të parandaluar përhapjen e mëtejshme dhe për ta edukuar shoqërinë se si të mbrohet”, ka shkruar Muharremi.
Sipas IKSHPK-së, gjatë periudhës 7 gusht–18 shtator 2026 janë konfirmuar shtatë raste të infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor në Kosovë.
“Prej tyre, pesë janë meshkuj dhe dy femra. Dy raste i përkasin grupmoshës 10–19 vjeç, ndërsa rastet e tjera janë të moshave deri në 79 vjeç”, thuhet në komunikatën e IKSHPK-së.
“Tri raste janë nga Gjakova, ndërsa nga një rast është regjistruar në Prishtinë, Shtime, Ferizaj dhe Pejë”, thuhet më tej.
Sipas Institutit, të gjitha rastet janë hospitalizuar në Klinikën Infektive të QKUK-së.
“Tri me shenja klinike të meningjitit akut, tri me shenja të meningoencefalitit akut dhe një rast me gjendje febrile”, thuhet në komunikatë.
“Gjatë kësaj jave janë raportuar dy raste të vdekjes nga WNV në Kosovë”, njofton IKSHPK-ja.
Instituti ka bërë të ditur se nga analiza fillestare nuk është evidentuar lidhje epidemiologjike ndërmjet rasteve.
“Prandaj ato janë klasifikuar si sporadike. Vetëm një nga shtatë rastet ka raportuar histori udhëtimi jashtë vendit”, thuhet në komunikatë.
IKSHPK-ja u ka bërë thirrje komunave që të intensifikojnë masat kundër mushkonjave dhe eliminimin e vatrave të shumimit të tyre.
“Masat duhet të përfshijnë spërkatjen në zonat me prani të shtuar të mushkonjave, largimin e mbeturinave dhe sanimin e kanalizimeve të hapura”, thuhet në njoftim.
Për mbrojtje personale, Instituti rekomandon përdorimin e repelentëve kundër mushkonjave, veshjen e rrobave që mbulojnë pjesën më të madhe të trupit dhe vendosjen e rrjetave mbrojtëse në dritare.
“Udhëtarët që vizitojnë zona ku raportohen infeksione të transmetuara nga mushkonjat, pas kthimit, rekomandohet të përcillet gjendja shëndetësore për paraqitjen e temperaturës, dhimbjes së kokës, lodhjes, skuqjes së lëkurës ose shenjave neurologjike”, thuhet në komunikatë.