Avokati i akredituar pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, Skënder Musa ka folur për “Front Online” lidhur me Projektligjin që synon përfshirjen e çështjeve të caktuara brenda mekanizmave të drejtësisë së Kosovës, ku tha se ai mund të ketë ndikim edhe sa i përket kompetencave të Dhomave të Specializuara.
Musa ka thënë se një pjesë e veprave penale që aktualisht janë në kompetencë të gjykatave të rregullta të Kosovës, do të mund të trajtohen brenda sistemit të drejtësisë së Kosovës.
“Në aspektin juridik, Projektligji mund të ketë ndikim sa i përket kompetencave të Dhomave të Specializuara. Aq sa munda ta lexoj draftin, një pjesë e veprave penale që janë në kompetencë të gjykatave të rregullta të Kosovës, Departamentit Special dhe Prokurorisë Speciale, do të mund të trajtohen në Kosovë”, ka deklaruar Musa.
Ai e ka cilësuar si pozitive çdo iniciativë që synon vendosjen e këtij institucioni brenda mekanizmave të Kosovës.
“Çdo iniciativë që merret me qëllim të vendosjes së këtij institucioni brenda mekanizmave të Kosovës, konsideroj se është pozitive”, ka thënë ai.
Musa e ka cilësuar këtë si një veprim politik të PDK-së, ndërsa ka theksuar se mbetet të shihet nëse nisma do të ketë mbështetjen e partive të tjera.
“Ky është një veprim politik i PDK-së dhe mbetet të shihet se a ka përkrahje nga partitë tjera. Ka për qëllim të krijojë një mundësi që të ketë gjykim të drejtë, objektiv dhe neutral për veprat që janë në kompetencë të këtij institucioni, ndërsa veprat që nuk janë në kompetencën e tij, por që janë kompetencë e gjykatave të Kosovës, të gjykohen në Kosovë”, është shprehur Musa.
Sipas tij, në draft parashihet edhe mënyra e transferimit të materialeve dhe lëndëve, si dhe çështje që lidhen me sanksionet penale.
“Parashihet mënyra e transferimit të materialeve dhe lëndëve, sanksionet penale dhe çështje të tjera që lidhen me këtë proces”, tha Musa.