Hallall spiune

Prishtinë | 22 Sht 2026 | 20:27 | Nga Kimete Berisha

Hallall spiune.

(Mata Hari në fshat.)

Pas Kosovës, dyshohet se spiunoi edhe Shqipërinë.

Qe – s’qe fajtore, shteti duhet ta fal.

Për zotësi.

Nuk është pak.

Ia doli që për vite t’i vërë në lajthitje institucione të tëra dhe secilin ta bindë se pikërisht ajo është personi të cilit duhet t’i besojë.

Në fakt, s’ka më lehtë sesa t’i bindësh meshkujt se je serioze.

Duhet vetëm të sillesh serioze, duke mos qenë.

Të flasësh pak. A hiç.

Të shikosh drejt. Pa pulitje.

Të mos qeshësh pa nevojë.

Dhe, mbi të gjitha, të kujdesesh që të mos dukesh si grua që e di çfarë do.

Vlorën H. do ta bëja ligjëruese të lëndës:

Si ta njohim mashtruesin – simptomat e hershme.

Burrat historikisht kanë dyshuar në gratë e bukura.

Dhe kanë vazhduar të dyshojnë në to edhe pasi janë plakur.

Bukuria vdes. Dyshimi jo.

Sepse bukuria është konsideruar gjithmonë si mjet.

Nëse një grua e bukur arrin diku, dyshohet se nuk ka arritur vetë.

E ka çuar bukuria.

Bukuria, sipas stereotipit, kryen konkurse, jep provime, merr vendime dhe, kur ka kohë, rrëzon edhe qeveri.

Nuk është e vërtetë.

Bukuria kushton shtrenjtë.

Të bën të konsiderohesh “mall” edhe kur je mendja më e mprehtë.

Fytyra të paraprin; mendja arrin pak më vonë, shpesh pasi dera është mbyllur.

Gratë e mençura e kanë ditur sekretin.

E kanë kuptuar se pushteti fitohet më lehtë kur feminiteti nuk perceptohet si kërcënim.

Sepse, për ta fituar besimin e një burri, duhet të dukesh estetikisht e parrezikshme.

Përafërsisht.

Pantallona, setër, shall.

Feminitetin ta mbash nën kontroll.

Nëse është e mundur, ta zhdukësh krejt.

Sepse vetëm pasi nuk i dukesh më atraktive, mashkulli qetësohet dhe fillon të të marrë seriozisht.

Dhe atëherë vjen komplimenti:

Burrnore.

Kurrë ndonjë nuse e bukur nuk është quajtur burrnore.

Burrnore quhet ajo zonjë që në fjalën e dytë e rrok sakicën.

Meshkujt janë të bindur se gruaja që nuk e mban veten është serioze.

Nuk është sipërfaqësore.

Nuk humb kohë me budallallëqe.

Ka punë më të thella.

Dhe këtu fillon problemi.

Sepse mashtruesja nuk vjen gjithmonë me taka, buzë të kuqe dhe dekolte.

Mund të vijë edhe me pantallona të zeza zherse, këmishë me 5 kg limona, çorape me fjolla bore, këpucë që i fshehin gishtat dhe një frizurë që ka hequr dorë nga krehëri.

E tillë ishte Vlora H.

Me buzëkuq ngjyrë pestili, të vënë sikur i ishte harxhuar dhe çka kishte mbetur në fund të fyshtit e kishte nxjerrë – me gisht. Të voglin.

Ndërkohë që të tjerët merreshin me seriozitetin e pamjes së saj, ajo kryente punë shumë më serioze.

Gratë estetikisht të përkryera kanë bërë probleme gjithashtu.

Por ato kanë qenë nën dyshim që në hyrje.

Kleopatra nuk kishte nevojë të bënte asgjë: kundërshtarëve u mjaftonte që ishte Kleopatra.

Plutarku madje nuk e përshkruan bukurinë e saj si të pakrahasueshme. Fuqinë e saj e shihte te prania, biseda dhe zëri.

Por propaganda kundër saj ia shndërroi feminitetin në armë politike.

Bukuria krijon bezdi.

I nervozon edhe gratë.

Nxit xhelozi.

E nervozon burrin.

E bën të presë ditën kur më në fund do të barazohet me gruan.

Prandaj u shpik edhe ajo fjalia e dhimbshme: “Gruaja e bukur s’është veç e jotja.”

Domethënë, edhe bukuria e saj shihet si pronë publike.

Ndërkohë që gratë e bukura gjykohen për mashtrimet që ende s’i kanë bërë, ato estetikisht të parrezikshmet kryejnë punë.

Dhe pastaj, një mëngjes, shteti zgjohet.

Kërkon spiunin.

E kishte marrë për grua serioze.

Me pantallona.

P.S. Unë hyj te mashtrueset.

Jo që kam dhjetëra buzëkuq.

Por sepse më pëlqen të jem e dyshimtë.

AUTOKRITIKË

Me t’vjetrën:

Mata Hari është fajtore derisa të dëshmohet e kundërta.

Të ngjashme