Si Agjenda Ndërkombëtare rrezikon ta barazoj gjenocidin dhe krimet serbe me luftën e pastër çlirimtare të UÇK-së dhe popullit të Kosovës!
Me instalimin e prezencës ndërkombëtare në Kosovë, në vitin 1999, hetimi i krimeve të luftës ishte kompetencë ekskluzive e UNMIK-ut.
Me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 2008, të gjitha kompetencat në fushën e drejtësisë iu bartën institucioneve kosovare të drejtësisë, me përjashtim hetimit dhe gjykimit të krimeve të luftës, të cilat iu bartën EULEX-it, mision i krijuar pas shpalljes së pavarësisë.
Më 2011, agjendat e huaja me misionin e kontaminimit të pastërtisë së luftës së UÇK-së dhe goditjes së narrativës ndërkombëtare për një luftë të pastër çlirimtare dhe humanitare prodhuan Raportin e Dick Marty-t në KiE. Asokohe, në KiE, Federata Ruse kishte ndikim të madh.
Në vitin 2013, aprovohet Pakoja Ligjore për Përmbylljen e Pavarësisë së Mbikëqyrur, e cila, rrjedhimisht, fillon numërimin mbrapsht për misionin e EULEX-it në Republikën e Kosovës.
Më 2014 publikohet raporti i Task Forcës Speciale Hetuese, i udhëhequr nga prokurori amerikan Clint Williamson, lidhur me akuzat e ngritura në Raportin e Dick Marty-t. Ai raport hidhte poshtë akuzat e tmerrshme për trafikim me organe, por, në të njëjtën kohë, pohonte se kishte gjetje për krime lufte, të cilat duhej të hetoheshin dhe të adresoheshin në gjykatë.
Në këto rrethana u shfaq presioni ndërkombëtar për themelimin e një Gjykate, e cila do t’i hetonte këto pretendime.
Më 2015, e gjendur përballë një presioni të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, me qëllim të adresimit të akuzave të fabrikuara, Kosova u detyrua të themelonte Dhomat e Specializuara, të cilat kishin për qëllim hetimin e gjetjeve të Task Forcës së udhëhequr nga Williamson-i.
Themelimi i Dhomave të Specializuara lidhet ekskluzivisht me faktin se misioni i EULEX-it ishte drejt shuarjes.
Më saktësisht, siç ishte paraparë me “timetable”-in për reduktimin e misionit, duke filluar nga viti 2016, EULEX-it nuk i lejohej fillimi i hetimeve të reja.
Rrjedhimisht, më 2018, EULEX-it, në përputhje me “timetable”-in, i hiqet mandati ekzekutiv.
Akuzat e para të Dhomave të Specializuara ngrihen në vitin 2020.
Si rezultat kemi:
Një proces në të cilin Kosova, si palë e dëmtuar dhe subjekt i gjenocidit dhe krimeve të luftës nga Serbia, mbahet nën presion të vazhdueshëm me akuza të fabrikuara për 27 vite. Akuza të cilat, në secilin rast kur janë adresuar në gjykata të rregullta ndërkombëtare(Tribunali i Hagës për Krimet e Luftës në Jugosllavi), kanë përfunduar me pafajësi, rastet Haradinaj dhe Limaj.
Krijimi i këtij “monstrumi” juridik del se ka pasur një qëllim të vetëm: që, përmes këtij mekanizmi hibrid juridik, të pashembullt në botë, të arrihet të dënohen liderët e UÇK-së, të legjitimohet narrativa e shteteve armike të Kosovës dhe të barazohen krimet e gjenocidit të kryera nga shteti serb me luftën e pastër çlirimtare të popullit të Kosovës.
Prandaj, Republika e Kosovës dhe populli i saj e kanë detyrim dhe mision historik të bëjnë gjithçka në fuqitë e tyre, për të vërtetuar pafajësinë dhe pastërtinë e luftës së UÇK-së dhe të popullit të Kosovës.