Sociologu Genc Xerxa ka ngritur shqetësimin për largimin e të rinjve nga Kosova, duke thënë se përveç pasojave socio-ekonomike, migrimi po ndikon edhe në strukturën demografike të vendit.
Xerxa në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se rritja e kostos së jetesës, mungesa e vendeve të punës dhe perspektivës, si dhe kushtet e tjera sociale po i shtyjnë të rinjtë të kërkojnë një jetë më të mirë në vendet evropiane.
Sipas disa të dhënave të publikuar nga Instituti GAP, rreth 44 mijë shtetas kosovarë kanë marrë leje qëndrimi në vendet e BE-së gjatë vitit 2025. Prej tyre, 73 për qind ishin 34 vjeç ose më të rinj, ndërsa 65 për qind e lejeve u lëshuan nga Gjermania. Në periudhën 2020-2025, mbi 250 mijë shtetas kosovarë kanë marrë leje qëndrimi në vendet e Bashkimit Evropian.
Xerxa ka thënë se në mesin e të larguarve janë edhe kuadro të arsimuara, veçanërisht nga sektori i shëndetësisë dhe teknologjisë informative, duke e cilësuar këtë si një formë të “ikjes së trurit”.
“Po, faktorët janë të shumtë. Së pari, e kemi situatën socio-ekonomike. Pra, që dita-ditës po rëndohet jetesa në Kosovë dhe kostoja e jetesës po na bëhet dita-ditës më e papërballueshme. Pastaj edhe perspektiva, arsimimi e shumë. Duke ditur që në masë të madhe po na ikën rinia dhe në disa raste edhe profile të arsimuar edhe kuadro, siç janë në shëndetësi edhe në teknologji informative. Këta dy sektorë janë më se shumti të atakuar gjatë ikjes së rinisë, se sun po gjejnë punë edhe po përshtaten në shtetet e ndryshme të Evropës. Kjo është për keqardhje se në njëfarë forme po kemi edhe njëfarë lloj ikje të trurit. Masat, shoqëria apo struktura mbajtëse e popullsisë, e cila e mban popullsinë, është riprodhuese, shtimin natyror e shumë të tjera, në njëfarë forme kemi edhe problemin na shfaqen demografike që mund të shkojmë dalëngadalë edhe te pleqëria e popullsisë. Ne veçse ashtu e kemi kaluar prej 29 vjet dikur e kishim mesataren, tash kemi shkuar mbi 35 vjet. E këto janë indikacione që në njëfarë forme edhe popullsia mund të na pleqërohet dhe nuk kemi popullsi, të cilët janë bartës të skemave sociale. Ata punojnë për me i gëzuar moshat e vjetra, beneficionet të cilat u takojnë me pension apo me skemat e ndryshme sociale. Pra është për keqardhje”, tha ai.
Xerxa ka thënë se situata është alarmante dhe se institucionet përgjegjëse duhet të krijojnë kushte më të favorshme për të rinjtë, veçanërisht në arsimim, punësim dhe mirëqenie sociale.
“Po gjithsesi është alarmante dhe institucionet relevante, sidomos arsimimi, pastaj institucionet të cilat kanë të bëjnë me punësim, të mirëqenies sociale, politikat, duan të krijojnë situatë të favorshme sidomos për rininë, që me anë të një shkollimi të mirëfilltë të gjejnë një punë, të dinjitetshme që me atë pagë ai me mujtë me jetuar normal. Në qoftë se këto nuk plotësohen në njëfarë forme, ata nuk e shohin perspektivën këtu edhe mendojnë të shtegtojnë, të gjejnë një jetë më të mirë në vendet evropiane. E kur na ikën struktura, baza, si me thënë ai elani, vrulli i strukturës sa bën shoqëria jonë, atëherë na krijon probleme të shumta siç i përmenda edhe në aspektin demografik, pastaj të pleqërisë, skemave të ndryshme sociale, me një fjalë ata do të jenë, është vizioni apo e ardhmja apo njerëzit të cilët do e bartin shtetin. Në qoftë se në masë të madhe këta na ikin, atëherë është për keqardhje dhe është alarmim për të gjitha institucionet dhe strukturat tona të shoqërisë të rishqyrtojnë pozicionin e vet dhe politikat karshi kësaj problematike”, tha ai për Ekonomia Online.
Sipas sociologut, për të frenuar largimin e të rinjve nevojiten kushte më të mira në arsimim, tregun e punës dhe paga më dinjitoze, por edhe meritokraci në punësim.
“Kushtet më të favorshme. Pra një shkollim më i mirë. Pra janë katër shtylla zakonisht shteti për me krijuar një mirëqenie të mirë: po shkollimi, arsimimi më i mirë ku me anë të atij arsimimi ti mundesh me gjetë lehtë punë, tregu i punës të jetë në koordinim me arsimimin që sa ta mbarojë shkollimin të ketë lehtë ta gjejë një punësim, pagat të dinjitetshme edhe të ketë barazi, barazi brenda konkursit, meritokracisë, mos të shkojnë me favorizime të ndryshme qofshin klanore apo partiake, ku shumica e të rinjve e shohin apo dëshpërohen e shohin që janë të pafuqishëm ndaj strukturave të tilla nepotike apo nepotizmit që nuk mund të kyçen në një vend të mirë. Pra të gjitha këta sektorë duan të funksionojnë mirë: meritim, meritokraci edhe që t’ju krijojnë favore apo kushte të domosdoshme që një i ri ta gjejë veten dhe perspektivën brenda Kosovës e jo të na ikin”, tha ai.
Duke folur për situatën politike dhe ekonomike në vend, Xerxa ka thënë se ngërçi politik dhe problemet me funksionimin e institucioneve po ndikojnë edhe në jetën e qytetarëve.
“Po është gjithsesi. Tash duke ditur situatën tonë politike dhe këtë ngërç politik që po na rezulton afër dy vjet shoqëria sot po përballet me probleme të shumta ekzistenciale. Vetëm nafta mund ta marrim si një si krahasim po na shkon deri në 2 euro. Si rezultat i kësaj lidhen shumë sektorë të tjerë: transporti, pastaj zinxhiri i ushqimeve, marketet, krejt këto po ndikojnë. Pastaj kemi pasur inflacion 7.3 më të madhin këtë këto muajt e fundit brenda rajonit. Në njëfarë forme këto janë problematika të shumta, pastaj në shëndetësi, mungesa e barnave esenciale, sidomos për këto sëmundjet malinje apo kancerogjene, e shumë situata të tjera të cilat institucionet, resortet e ndryshme brenda qeverisë, të cilat do të ishin funksionale, do i zgjidhnin apo do merreshin me këto problematika. Në pamundësi të tyre, institucionet po rrinë të mbyllura, ashtu që qytetarët dita-ditës po e humbin besimin në institucione dhe po mundohen ta marrin faktikisht fatin në duart e veta”, tha ai.
