Bekim Sejdiu tërhiqet sërish nga gara për President: Nuk e konsideroj veten pjesë të procesit

Prishtinë | 06 Tet 2026 | 17:49 | Nga Ekonomia Online

Bekim Sejdiu ka bërë të ditur se nuk e konsideron veten pjesë të procesit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, pavarësisht se emri i tij është rikthyer në diskutimet politike për këtë pozitë, transmeton Ekonomia Online.

Në një postim drejtuar qytetarëve, Sejdiu ka sqaruar se më 14 shtator kishte njoftuar tërheqjen e tij nga procesi, për shkak të pamundësisë për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet LDK-së dhe LVV-së.

“Më datë 14 shtator, unë kam njoftuar tërheqjen time nga procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, për shkak të pamundësisë së realizimit të marrëveshjes LDK-LVV”, tha ai.

Sejdiu ka thënë se kandidatura e tij ishte pranuar me synimin për t’i shërbyer interesit të vendit dhe për të kontribuar në tejkalimin e krizës politike.

“E vetmja arsye dhe i vetmi motiv që më ka nxitur të marrë përsipër këtë barrë, ka qenë interesi i vendit dhe përpjekja për të ndihmuar në daljen nga kriza”, ka deklaruar ai.

Ai ka bërë të ditur se ditëve të fundit ka komunikuar me drejtuesit e LDK-së, ndërsa ka njoftuar edhe kryeministrin Albin Kurti se nuk e sheh veten pjesë të procesit për zgjedhjen e presidentit, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike dhe të përkrahjes së nevojshme në Kuvend.

“Kam njoftuar krerët e LDK-së dhe Kryeministrin Kurti se unë nuk e konsideroj vetën pjesë të procesit të zgjedhjes së Presidentit, për arsye të mos arritjes së një marrëveshjeje politike dhe mungesës së përkrahjes së nevojshme në Kuvend”, theksoi ai.

Sejdiu ka falënderuar Kurtin dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për besimin dhe komunikimin, ndërsa mirënjohje ka shprehur edhe për mbështetësit e tij nga politika, akademia dhe shoqëria.

Ai ka shprehur shqetësimin për situatën politike në vend, duke bërë thirrje për reflektim.

“Nuk mund të përmbyllë këtë postim pa shprehur dhimbjen time personale për ankthin dhe zhgënjimin që po përjeton Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj”, u shpreh ai.

Sejdiu bëri thirrjen që situata aktuale të shërbejë si moment reflektimi “përtej inateve të ngushta dhe interesave personale”, tha ai.

Të ngjashme