Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka reaguar pas seancës së djeshme të Kuvendit të Kosovës, ku u zgjodh Presidentja e re e vendit, raporton Ekonomia Online.
Përmes një postimi në Facebook, deputeti i LDK-së ka thënë se zhvillimet e djeshme kanë nxjerrë në pah, sipas tij, dy të vërteta politike.
“E para: për VV-në mund të jetë i pranueshëm një president politik që vjen nga PDK-ja, por jo një president politik që vjen nga LDK-ja. Vetëm nga LDK-ja kërkohej konsensual?”, ka shkruar Zemaj.
“E dyta: VV votoi për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pra, në praktikë, pranoi edhe vetë ekzistencën dhe juridiksionin e Gjykatës Speciale në Hagë”, shtoi.
Sipas tij, këto zhvillime nuk janë më vetëm pjesë e debateve politike apo ndarjeve ideologjike, por janë veprime dhe votime të regjistruara në Kuvend.
“Këto nuk janë më vetëm debate politike, as ndarje ideologjike, por janë veprime e votime të regjistruara në Kuvend. Dje, ping-pongu politik VV-PDK mori fund. Votat treguan shumë më tepër se fjalët”, ka përfunduar Zemaj.