Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka marrë pjesë në pritjen shtetërore të organizuar nga Kryeministri dhe Qeveria e Mbretërisë së Tajlandës, për kryesuesit e delegacioneve të vendeve anëtare, në kuadër të Takimeve Vjetore 2026 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Grupit të Bankës Botërore (BB), që po mbahen në Bangkok.
Në këtë ngjarje, guvernatori Ismaili, së bashku me Ministrin e Financave të Republikës së Kosovës, ka zhvilluar takime dhe ka shkëmbyer pikëpamje me homologë nga bankat qendrore, përfaqësues të qeverive dhe zyrtarë të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare.
Takimet shërbejnë si një mundësi për forcimin e marrëdhënieve institucionale, zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe diskutimin e zhvillimeve ekonomike e financiare globale, stabilitetit financiar dhe sfidave të përbashkëta.
Pjesëmarrja e përfaqësuesve të Kosovës në këto forume të nivelit të lartë synon promovimin e progresit të vendit, fuqizimin e partneriteteve strategjike dhe avancimin e integrimit të Kosovës në sistemin financiar ndërkombëtar.
Me këtë rast, guvernatori Ahmet Ismaili ka shprehur mirënjohje për institucionet e Mbretërisë së Tajlandës për mikpritjen dhe organizimin e kësaj ngjarjeje në kuadër të Takimeve Vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore.