Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka marrë pjesë në pritjen shtetërore të organizuar nga Kryeministri dhe Qeveria e Tajlandës për kryesuesit e delegacioneve të vendeve anëtare, në kuadër të Takimeve Vjetore 2026 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Grupit të Bankës Botërore (BB), që po mbahen në Bangkok.
Ismaili, së bashku me ministrin e Financave të Kosovës, ka zhvilluar takime dhe shkëmbime pikëpamjesh me përfaqësues të bankave qendrore, qeverive dhe institucioneve të larta financiare ndërkombëtare.
Përmes një postimi, guvernatori i BQK-së ka theksuar rëndësinë e këtyre takimeve për forcimin e marrëdhënieve institucionale, zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimin e perspektivave mbi zhvillimet ekonomike e financiare globale, stabilitetin financiar dhe sfidat e përbashkëta.
Sipas Ismailit, pjesëmarrja e Kosovës në këto forume të nivelit të lartë përbën mundësi për promovimin e progresit të vendit, fuqizimin e partneriteteve strategjike dhe avancimin e integrimit të Kosovës në sistemin financiar ndërkombëtar.
Ai ka shprehur mirënjohje për institucionet e Tajlandës për mikpritjen dhe organizimin e ngjarjes në kuadër të Takimeve Vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore.
Takimet Vjetore të FMN-së dhe Grupit të Bankës Botërore mbledhin përfaqësues të qeverive, bankave qendrore dhe institucioneve financiare ndërkombëtare për të diskutuar zhvillimet ekonomike globale, stabilitetin financiar dhe sfidat e ekonomisë botërore.