Abdixhiku me bashkëpartiakë bëjnë homazhe për heroin Idriz Rrecaj në Skenderaj

Prishtinë | 17 Tet 2026 | 15:13 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, së bashku me bashkëpunëtorë të partisë, ka bërë homazhe në Skenderaj në nderim të heroit Idriz Rrecaj.

Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, e ka kujtuar Rrecajn si intelektual dhe veprimtar të çështjes kombëtare, i cili ishte ndër themeluesit e degës së LDK-së në Skenderaj dhe kryetari i parë i saj.

“Sot, në Skenderaj, me bashkëpunëtorë të LDK-së, bëmë nderime për heroin Idriz Rrecaj. Intelektual, veprimtar i çështjes kombëtare dhe një ndër themeluesit e degës së LDK-së në Skenderaj, kryetar i saj i parë, Idriz Rrecaj ishte pjesë e brezit që mori përgjegjësi për organizimin politik e kombëtar në ditët më të vështira për Kosovën. Kontributi i tij është pjesë e historisë së LDK-së, UÇK-së dhe e përpjekjes sonë për liri e pavarësi”, shkroi Abdixhiku.

Kreu i LDK-së theksoi se sakrifica e heroit nuk duhet të harrohet dhe se krimi ndaj tij nuk duhet të mbetet pa drejtësi.

“I rrëmbyer nga forcat serbe në prill të vitit 1999, bashkë me pjesëtarët e grupit të intelektualëve shqiptarë, ai u kthye pas 27 vjetësh në tokën e Kosovës së lirë. Familjes Rrecaj i shprehëm ngushëllimet dhe respektin tonë të thellë për qëndresën gjatë gjithë këtyre viteve. Për 27 vjet na mungoi varri i tij, por emri dhe vepra e Idriz Rrecajt mbetën mes nesh. Sot e nderojmë në liri, me detyrimin që sakrifica e tij të mos harrohet dhe krimi ndaj tij të mos mbetet pa drejtësi. Lavdi jetës dhe veprës së heroit Idriz Rrecaj!”, shkroi Abdixhiku.

Të ngjashme