Gegaj kritikon Ministrinë e Bujqësisë: Po i vendos fermerët para një paqartësie të papranueshme

Prishtinë | 19 Tet 2026 | 10:01 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Istogut, Artan Gegaj, ka ngritur shqetësime lidhur me mospërputhjet mes vendimit të Ministrisë së Bujqësisë për subvencionimin e grurit dhe Udhëzuesit për Pagesat Direkte për vitin 2026.

Gegaj ka thënë se vendimi i datës 2 tetor 2026 nuk përputhet me udhëzuesin, duke theksuar se në njërin dokument rendimenti mesatar kombëtar përcaktohet në 4,600 kilogramë për hektar, ndërsa në tjetrin në 4,300 kilogramë për hektar.

Sipas tij, dallime ka edhe në pragjet e rendimentit dhe normat e subvencionimit, gjë që, siç ka deklaruar, krijon pasiguri për fermerët lidhur me mënyrën e përfitimit nga mbështetja financiare.

Gegaj ka kërkuar nga Ministria e Bujqësisë që të sqarojë se cili dokument do të zbatohet dhe kush do të mbajë përgjegjësi në rast se fermerët pësojnë dëme financiare.

Postimi i plotë :

Për të gjithë fermerët e Komunës së Istogut!

Ministria e Bujqësisë po i vendos fermerët para një paqartësie të papranueshme. Vendimi i datës 2 tetor 2026 për subvencionimin e grurit nuk përputhet me Udhëzuesin për Pagesat Direkte 2026.

Në njërin dokument mesatarja kombëtare e rendimentit përcaktohet në 4,600 kg/ha, ndërsa në tjetrin në 4,300 kg/ha. Ndryshojnë edhe pragjet e rendimentit dhe normat e subvencionimit, duke krijuar pasiguri për mënyrën se si do të trajtohen fermerët.

Fermerët nuk mund të jenë viktima të vendimeve të paqarta dhe dokumenteve që kundërshtojnë njëri-tjetrin. Ata meritojnë transparencë, drejtësi dhe siguri për mbështetjen që u takon.

Ministria duhet të japë përgjigje: cili dokument do të zbatohet dhe kush mban përgjegjësi nëse fermerët dëmtohen financiarisht?

Të ngjashme