Ymeri: Qeveria po fsheh certifikatat e grurit nga Serbia, mbi 1.6 milionë kilogramë kaluan në një muaj

Prishtinë | 17 Sht 2026 | 10:21 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka kritikuar deputetët e VV-së, Armend Mujën dhe Mimoza Kusarin, lidhur me trajtimin e produkteve ushqimore që importohen nga Serbia.

Ymeri ka ngritur pretendime për kontrollet ndaj grurit të importuar nga Serbia, duke thënë se vetëm brenda një muaji kanë kaluar mbi 1.6 milionë kilogramë grurë, ndërsa kontrolli, sipas saj, është bërë vetëm në një sasi prej rreth dy kilogramësh.

Ajo ka akuzuar institucionet përgjegjëse se nuk po publikojnë certifikatat e grurit të importuar nga Serbia.

“Për më tepër, nga AUV po fshihen certifikatat e grurit serb dhe dilni këtu kinse po merreni me produktet finale?”, ka shkruar Ymeri.

Deputetja ka lidhur çështjen e grurit dhe drithërave me rrezikun nga aflatoksina, duke argumentuar se misri dhe drithërat përdoren edhe si ushqim për kafshë dhe mund të ndikojnë në përhapjen e aflatoksinës në qumësht.

“Po si i bëhet për bukën tonë si produkt primar, para qumështit për të cilin nuk po dërgohen dokumentet për disa muaj tani?”, ka shkruar ajo.

Ymeri ka kërkuar sqarime se pse është lejuar importi i sasive të mëdha të grurit nga Serbia dhe pse, sipas saj, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk po i publikon certifikatat që kërkohen me ligj.

Në fund, ajo ka akuzuar qeverinë për, siç pretendon, fshehje të dokumenteve dhe ka shkruar: “Qeveria VV po fsheh certifikatat e grurit nga Serbia.”

Të ngjashme