Nis iniciativa me ambicie globale, një kosovar dhe një politikan austriak janë pjesë e nismës

Prishtinë | 06 Nën 2026 | 20:03 | Nga Ekonomia Online

Avokati nga Kosova, Arsim Vranovci, dhe deputeti i Parlamentit të Austrisë, Andreas Minnich, kanë ndërmarrë një iniciativë me ambicie globale për themelimin e International Association of Friendship Nations (IAFN), një organizatë e re ndërkombëtare që synon të bashkojë personalitete me reputacion dhe ndikim botëror në shërbim të paqes, miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet kombeve.

Organizata, e cila do të ketë selinë qendrore në Vjenë të Austrisë, është në fazën fillestare të krijimit. Sipas iniciatorëve, personalitete të njohura nga vende të ndryshme të botës tashmë kanë filluar të shprehin interesim për t’u bërë pjesë e saj.

IAFN synon të përfshijë presidentë dhe ish-presidentë shtetesh, kryeministra dhe ish-kryeministra, ministra, deputetë, ambasadorë, konsuj nderi, diplomatë, akademikë, shkencëtarë, sipërmarrës të suksesshëm, aktorë dhe personalitete të shquara të kulturës, artit dhe jetës publike.

Nisma synon të krijojë një model të veçantë bashkëpunimi ndërkombëtar, ku figura me përvojë dhe ndikim nga kontinente të ndryshme do të kenë mundësi të bashkojnë njohuritë, kontaktet dhe angazhimin e tyre për realizimin e projekteve në fushën e diplomacisë, ekonomisë, investimeve, arsimit, shkencës, kulturës dhe zhvillimit shoqëror.

Përmes një Memorandumi të Mirëkuptimit, Vranovci dhe Minnich kanë përcaktuar vizionin dhe hapat për themelimin e organizatës. Të dy iniciatorët do të angazhohen bashkërisht dhe me përgjegjësi të barabarta në të gjitha proceset e krijimit dhe zhvillimit të IAFN, duke përfshirë hartimin e statutit dhe dokumenteve themeluese, regjistrimin juridik në Austri, krijimin e selisë në Vjenë, ndërtimin e marrëdhënieve me institucionet ndërkombëtare, zgjerimin e rrjetit të anëtarësisë, zhvillimin e programit dhe platformës digjitale, sigurimin e mbështetjes financiare dhe organizimin e aktiviteteve ndërkombëtare.

Të dy iniciatorët parashihen të drejtojnë bashkërisht organizatën si bashkëpresidentë gjatë periudhës së themelimit, deri në krijimin e organeve të përhershme drejtuese.

Organizata e re parashihet të funksionojë si institucion jofitimprurës, politikisht neutral dhe i pavarur, me synimin për të organizuar konferenca të nivelit të lartë, forume ekonomike, takime ndërkombëtare dhe iniciativa që nxisin dialogun dhe mirëkuptimin ndërmjet popujve.

Me ambicie që shtrihen përtej kufijve shtetërorë dhe kontinentalë, Arsim Vranovci dhe Andreas Minnich synojnë ta shndërrojnë International Association of Friendship Nations (IAFN) në një qendër botërore të bashkëpunimit, ku personalitetet më me ndikim ndërkombëtar do të bashkojnë përvojën, vizionin dhe potencialin e tyre për tri qëllime madhore: forcimin e paqes dhe stabilitetit botëror, nxitjen e zhvillimit ekonomik përmes investimeve dhe partneriteteve ndërkombëtare, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit kulturor ndërmjet popujve.

Nga Vjena, kjo iniciativë synon të ndërtojë ura të qëndrueshme ndërmjet kombeve dhe të shndërrojë dialogun ndërkombëtar në projekte konkrete që kontribuojnë për një botë më paqësore, më të zhvilluar dhe më të bashkuar.

Të ngjashme