Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Faruk Mujka- kryeshef ekzekutiv në Ndërmarrjen Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc” dhe Hysen Muzliukaj- ish-drejtor për Gjeodezi në Mitrovicë, u deklaruan sërish të pafajshëm lidhur me akuzat për korrupsion.
Sipas aktakuzës, Mujka në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, ndërsa Muzliukaj në cilësinë e Drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në atë komunë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private. Ndërkaq, Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit nuk i deklaroi 60 mijë e 50 eurot që iu sekuestruan në shtëpi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Seanca e së hënës po vazhdon me fjalët hyrëse të palëve në procedurë.
Dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm edhe në seancën fillestare më 20 tetor 2025.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 9 shtator 2025, ka ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Mujka ngarkohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi” Mujka, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, ndërsa Muzliukaj, në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në atë komunë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private. Ndërkaq, Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit, nuk i deklaroi 60 mijë e 50 eurot që iu sekuestruan në shtëpi.
Çka thuhet në pikën e parë të aktakuzës?
Sipas aktakuzës, Mujka, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, dhe Hysen Muzliukaj, në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kishin tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike.
Fillimisht, thuhet se Mujka, më 25 prill 2021, duke vepruar në emër të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe Muzliukaj, në pozitën e drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, i paraqitën Kuvendit Komunal propozim-vendimin për këmbim të pronës së paluajtshme me lokacion në rrugën “Afrim Zhitia” në Mitrovicë (ndërtesë e ish-Bankosit).
Në aktakuzë thuhet se sipërfaqja e paluajtshmërisë ishte 139 metra katrorë nga sipërfaqja e përgjithshme prej 631 metrash katrorë, të cilën e kishin paraqitur kinse si pronë të Komunës, për këmbim me parcelën me sipërfaqe të përgjithshme prej 102 metrash katrorë, në pronësi të personit fizik Besarta Isufi, në rrugën “Ali Zeneli” në Mitrovicë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Mujka dhe Muzliukaj e kishin ditur se prona e tillë nuk ishte pronë komunale dhe se ekzistonte proces gjyqësor me padi të iniciuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe Ndërmarrja Shoqërore “Jugobanka” në Mitrovicë. Duke qenë në dijeni se Kuvendi Komunal i Mitrovicës kishte marrë dy herë vendim për shpallje me interes të posaçëm publik të objektit të ish-Bankosit, ku ndodhej prona në fjalë, më 30 gusht 2012 dhe 23 shkurt 2017, në bazë të të cilit ishte kërkuar nga Bordi i AKP-së që, lidhur me pronën e ish-Bankosit, t’u bartej e drejta e shfrytëzimit, meqenëse prona nuk ishte në pronësi të Komunës.
Aktakuza thotë se dy të akuzuarit kishin vepruar në dëm të interesit publik dhe në kundërshtim me Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës dhe Rregullores për përcaktimin e procedurave për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së Komunës. E që, në bazë të këtyre, sipas aktakuzës, ndalohet dhënia në shfrytëzim dhe këmbimi i pronës me pronë private.
Kështu, dy të pandehurit ngarkohen se i shkaktuan dëm të konsiderueshëm AKP-së, në vlerën e objektit të tjetërsuar/këmbyer, që ishte llogaritur të jetë 125 mijë e 100 euro.
Andaj, për këto veprime, Mujka dhe Muzliukaj po ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, e paraparë me nenin 414, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Për çka akuzohet në pikën e dytë të aktakuzës Mujka?
Në aktakuzë thuhet se Faruk Mujka, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të “Ibër-Lepencit”, i cili, sipas Ligjit aktual për deklarim, prejardhje dhe kontroll të pasurisë dhe dhuratave, ishte i detyruar të bënte deklarimin e pasurisë, nuk i ka paraqitur të dhënat e kërkuara në deklaratë, pasi nga data e pavërtetuar e deri më 15 korrik 2023, në shtëpinë e tij kishte poseduar shumën prej 60 mijë e 50 eurosh, shumë kjo e gjetur dhe sekuestruar gjatë zbatimit të urdhrit për kontroll të Gjykatës në shtëpinë e tij në Mitrovicë.
Këtë shumë, sipas aktakuzës, Mujka nuk e kishte paraqitur në formularin për deklarimin e pasurisë së vitit paraprak në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, edhe pse ishte i obliguar sipas ligjit dhe e kishte ditur se në deklaratë duhet të paraqiten edhe shumat cash.
Andaj, për këto veprime, Mujka po ngarkohet me veprën penale “Mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 i Kodit Penal.