Kur i kanë mbetur edhe katër ditë për kohë për ta dekretuar ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, Presidentes Justinia Shiroka Pula i ka ardhur një kërkesë e re nga drejtuesi i iniciativës “JO NË EMRIN TIM”, Çlirim Haziri, shkruan Ekonomia Online.
Ai i ka bërë thirrje Presidentes që ta shqyrtojë me kujdes dhe përgjegjësi të plotë Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i cili ndodhet në Presidencë.
“Nëse konstatohen dispozita që nuk janë në harmoni me Kushtetutën apo kanë çfarëdo problemi ligjor, kërkojmë që Presidentja ta ushtrojë kompetencën e saj kushtetuese dhe ta kthejë ligjin në Kuvend për rishqyrtim. Nëse ka nevojë, të ndryshohet e të përmirësohet çfarëdo që duhet ndryshuar e përmirësuar”, ka deklaruar Haziri në një konferencë për media.
Megjithatë, nuk dihet nëse kërkesa e tij lidhet me kritikat e juristëve për efektet e këtij ligji, i cili u miratua me shumicë votash në Kuvend më 6 tetor, në lexim të dytë, Ligji për Dhomat e Specializuara.
Vendimi i Kuvendit u kritikua nga partnerët ndërkombëtarë. Bashkimi Evropian ka thënë se plotësim-ndryshimi i miratuar bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.
Por deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka shprehur bindjen se institucionet do të gjejnë rrugën juridike dhe institucionale që Gjykata Speciale të zbatojë ligjin e Kosovës.
Në një shkrim në Facebook, Gruda pati thënë se është ngritur me të drejtë shqetësimi se a do ta zbatojë Gjykata Speciale ndryshimin që Kuvendi ia bëri me ligj kësaj gjykate.
Ai ka theksuar se pret pengesa në zbatim, por ka thënë se Kosova do të arrijë ta gjejë rrugën për zbatim.
“Jam i bindur se do ta gjejmë rrugën juridike dhe institucionale për ta detyruar Gjykatën Speciale ta zbatojë ligjin e Republikës së Kosovës. Për këtë do të na duhet vendosmëri si shtet, si institucione dhe si shoqëri. Dhe do t’ia arrijmë”, pati shkruar ai në Facebook.
Ligji për Specialen u iniciua nga PDK-ja, pasi që Specialja dënoi më 16 shtator ish-krerët e UÇK-së me 81 vjet burgim. Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet, Jakup Krasniqi me 25, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.