Përparim Rama, kryetar i Prishtinës, vazhdimisht deklaronte se nuk është anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ndërsa të hënën tha se është i gatshëm ta udhëheqë partinë që aktualisht drejtohet nga Lumir Abdixhiku, shkruan Ekonomia Online.
Në emisionin “DPT te Fidani”, Rama tha se është absolutisht i gatshëm për këtë angazhim të ri, për ta drejtuar partinë më të vjetër në Kosovë.
“Normal që jam i interesuar t’i ndihmoj Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ta nxjerr prej aty ku është. Si gjithmonë, kam qenë aty për ta, jam aty për ta dhe do të jem aty për ta”, tha Rama.
Deklarata e Ramës nxiti reagime në opinionin publik, meqë i pari i Prishtinës vazhdimisht kishte deklaruar se nuk është anëtar i LDK-së.
“E kam thënë edhe më herët dhe po e përsëris: nuk jam anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe nuk jam në garë. Lumiri ka bërë një punë të mrekullueshme në këto katër vite të transformimit të partisë”, kishte thënë Rama në një intervistë vitin e kaluar.
Mbetet interesante të shihet reagimi i kreut aktual të LDK-së, Lumir Abdixhiku, me të cilin Rama për një kohë kishte pasur raporte të tensionuara, pasi ky i fundit shkarkoi disa drejtorë të Komunës së Prishtinës që vinin nga radhët e LDK-së.
Gara për kryetar të LDK-së pritet të jetë interesante, ndërsa ambicie për këtë pozitë kanë shprehur edhe Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti, tash deputetë të kësaj partie.
Më 30 korrik, Abdixhiku u rikonfirmua si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kryetari i katërt në historinë e partisë më të vjetër në Kosovë arriti t’i mbijetojë nismës për shkarkimin e tij.
Ky Kuvend u thirr pas zgjedhjeve të 7 qershorit, në të cilat LDK-ja sërish doli e treta. Gjatë nismës për shkarkimin e tij, delegatët theksuan se Abdixhiku kishte dështuar si kryetar.
Abdixhiku është në krye të LDK-së që nga viti 2021, kur Isa Mustafa dha dorëheqje dhe ai u zgjodh kryetar i partisë.
Ndryshe, LDK-ja do të mbajë Kuvendin e rregullt vitin e ardhshëm.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mori 171.357 vota, ose 18,27% të votave, duke siguruar 15 ulëse në Kuvendin e Kosovës.