271 të arrestuar në shtatë ditë protesta në Shqipëri, mes tyre edhe të mitur

Prishtinë | 20 Tet 2026 | 16:54 | Nga Ekonomia Online

Policia e Tiranës ka bërë të ditur se 271 persona janë arrestuar gjatë shtatë ditëve të protestave në Shqipëri, të cilat i ka cilësuar si të dhunshme. Sipas policisë, 51 prej të arrestuarve kanë precedentë penalë për vepra të ndryshme, ndërsa në mesin e tyre ka edhe të mitur.

Vetëm të hënën, autoritetet njoftuan për arrestimin e 33 personave, përfshirë gjashtë të mitur të moshave 15 deri në 17 vjeç.

Sipas Policisë, të arrestuarit dyshohen se gjatë protestës kanë sulmuar me gurë dhe sende të forta punonjësit dhe automjetet policore, si dhe kanë dëmtuar pronën publike.

“Policia tha se këta shtetas dyshohet se, gjatë tubimit, kanë qëlluar me gurë dhe me sende të tjera të forta në drejtim të punonjësve dhe automjeteve të Policisë, si dhe kanë dëmtuar me sende të forta dhe me zjarr koshat e mbeturinave dhe tabelat e sinjalistikës rrugore. Si pasojë e sulmit dhe dhunës nga ana e personave të maskuar dhe të dhunshëm gjatë tubimit të djeshëm, janë dëmtuar 7 punonjës policie”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në njoftim, Policia e Tiranës ka bërë të ditur se 51 nga 271 personat e arrestuar gjatë kësaj jave protestash kanë precedentë penalë për vepra të ndryshme, përfshirë vrasjen, plagosjen, armëmbajtjen pa leje dhe veprat që lidhen me narkotikët.

“Ndërkohë, theksojmë se gjatë 7 ditëve të protestave të dhunshme janë arrestuar 271 shtetas, nga të cilët 51 me precedentë penalë në fushën e vrasjes, plagosjes, armëmbajtjes pa leje, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, prostitucionit, shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, vjedhjes, mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve, mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, pjesëmarrjes në grumbullime të paligjshme, goditjes/kundërshtimit/mosbindjes ndaj punonjësve të Policisë, si dhe në fushën e mjedisit dhe të qarkullimit rrugor”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme