Haradinaj: PDK-ja duhet të ngrihet mbi trashëgiminë e saj historike

Prishtinë | 21 Tet 2026 | 21:50 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj tha se partitë politike duhet të ngrihen mbi identitetin historik dhe trashëgiminë historike.

Haradinaj e ftuar në emisionin “Rubikon” tha se në momentin kur mungon lideri autentik i një partie politike, subjekti futet në një cikël sfidues pasi elektorati i Kosovës priret të besojë më shumë në lider se sa në pakon programore të partive.

Ajo tha se LDK ishte në këtë cikël, kurse sipas saj në cikël të njëjtë ka hyrë edhe PDK-ja.

“Identiteti është më shumë me atë pjesën historike, me trashëgiminë historike mbi të cilën do të duhej ta kapitalizojnë partitë politike, por të ngrihen mbi të. Po ashtu edhe nëse i krahasojmë historikisht partitë politike të Kosovës, e njëjta gjë e ka goditur edhe LDK-në. Pra, kur lideri autentik i një organizate politike, i një partie politike nuk është më, qoftë për arsye të ndryshme, atëherë padyshim që është shumë sfiduese që në një ambient siç është Kosova, me një elektorat siç është Kosova që është më shumë i prirur të besojë tek autoriteti i liderit historik sesa tek ekipi politik apo tek oferta politike programore, atëherë është shumë e vështirë që të menaxhohet edhe kapitali politik, edhe uniteti, e identiteti politik ndër vite. Këtë e ka karakterizuar edhe LDK-në, edhe besoj edhe PDK-ja tanimë ka hyrë në një cikël të tillë dhe padyshim që varet se si do ta kapitalizojë tani këtë hap që të ofrojë një ofertë dhe të mirëmbajë identitetin e saj…”, tha ajo.

Të ngjashme