Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takimin e parë në Shën Stefan të Malit të Zi me komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, në margjinat e Samitit të Procesit të Berlinit.
Përmes një postimi, Kurti ka theksuar se me institucione plotësisht funksionale, Kosova do t’i përshpejtojë reformat që lidhen me integrimin evropian. Ai ka përmendur edhe miratimin e ligjit të fundit për integrimin në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), për të cilin ka thënë se do t’u mundësojë qytetarëve, bizneseve dhe diasporës kursime të konsiderueshme.
“Me institucione plotësisht funksionale Kosova do t’i përshpejtojë reformat. Javën e kaluar miratuam ligjin e fundit për integrim në SEPA, që do t’u kursejë qytetarëve, bizneseve dhe diasporës rreth 58 milionë euro në vit, ndërkohë shpejt fillojnë negociatat për ‘Roam like at Home’ për t’iu bashkuar zonës pa tarifa shtesë”, ka shkruar Kurti.
Ai ka kërkuar që përparimi demokratik i Kosovës, përkushtimi ndaj vlerave të përbashkëta dhe përafrimi me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së të përkthehen në hapa konkretë drejt integrimit evropian.
“Përparimi ynë demokratik, përkushtimi ndaj vlerave të përbashkëta dhe linjëzimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së duhet të reflektohen në hapa konkretë. Është e rëndësishme dhe e nevojshme, mbështetja proaktive e Komisionit për statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim”, ka deklaruar Kurti.
Kreu i Qeverisë ka përmendur gjithashtu marrëveshjet e arritura në kuadër të Procesit të Berlinit, duke theksuar se Kosova i ka ratifikuar të gjitha ato, përfshirë marrëveshjen për njohjen e diplomave.
Ai ka kërkuar që këto marrëveshje të zbatohen nga të gjitha palët, duke përmendur edhe Serbinë.
“Në Procesin e Berlinit, Kosova i ka ratifikuar të gjitha marrëveshjet, përfshirë atë për njohjen e diplomave, të cilat duhet t’i zbatojnë të gjithë, përkatësisht edhe fqinji ynë verior, Serbia”, ka shkruar Kurti.
Takimi me komisioneren evropiane për Zgjerim u zhvillua në kuadër të angazhimeve të Kosovës për avancimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.