Vitia: Invalidët e luftës do t’i kenë të mbuluara plotësisht shpenzimet për proteza

Prishtinë | 22 Tet 2026 | 11:15 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se invalidët e luftës, qofshin civilë apo ushtarakë, do t’i kenë të subvencionuara plotësisht shpenzimet për proteza, duke u bërë thirrje që të aplikojnë në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, raporton Ekonomia Online.

Vitia ka thënë se procesi i mbulimit të këtyre shpenzimeve është institucionalizuar, pasi deri në vitin 2024 mbështetja për proteza varej nga vendimet dhe vullneti i qeverive.

“Bëj thirrje si ushtar apo invalid civil, që të bëjnë kërkesë në fondin e sigurimeve shëndetësore dhe i garantoj se secila qysh është trajtuar, secila lëndë do të trajtohet. I bëj thirrje edhe zotit Hoti që të bëjë këtë, të bëjë këtë aplikim nëse nuk e ka bërë akoma, dhe nëse ka çfarëdo telashe dhe çfarëdo lloji, është kabineti ku mund të drejtohet dhe në çdo kohë do të jemi të gatshëm për ta pritur dhe për ta siguruar se do ndodhë kjo. Kjo ndodh sepse deri në vitin 2024 mbulimi i protezave ka ndodhur në një mënyrë pak a shumë jo institucionale, që ka qenë me vullnetin shpesh herë të qeverive, për të ndarë apo mos të ndarë fonde për t’i mbuluar këta persona që kanë lënë gjymtyrët e tyre për vendin tonë, për t’i mbuluar me shpenzimet që i kanë pasur”, tha ai.Ministri ka theksuar se, përmes bashkëpunimit me organizatat e dala nga lufta, është krijuar një sistem që synon të sigurojë mbulimin e plotë të shpenzimeve për proteza për të gjithë invalidët e luftës.

“Dhe shpesh herë kanë hasur në telashe, dhe për këtë arsye bashkëpunimi me shoqatat e dalja nga lufta, në veçanti me organizatën e veteranëve e invalidëve të luftës, e kemi bërë një sistem ku e kemi institucionalizuar këtë proces, dhe tani as edhe një invalid i luftës, po e përsëris, qoftë civil apo ushtar, nuk ka shans të mos i përgjigjet me subvencionim të plotë. Këtu shfrytëzoj rastin vetëm t’i falënderoj organizatat dhe shoqatat e dalja nga lufta, në veçanti organizatën për invalidët e luftës që kanë dhënë një kontribut të paçmueshëm në hartimin e këtij udhëzimi administrativ që ka pasuar me vendimin e qeverisë”, tha Vitia.

Të ngjashme