“Tung e bafshi, zhvatës”, Peci i reagon deputetes së Aleancës që e akuzoi për skandale, ia përmend “uzurpimin” e zyrës së partisë në Ulpianë

Prishtinë | 22 Tet 2026 | 12:41 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka reaguar sërish në Facebook, duke thënë se po i bëhet “fushatë linçuese” në Kuvend, raporton Ekonomia Online.

“Vazhdon fushata linçuese ndaj meje edhe sot në Kuvendin e Kosovës. Kosova e ka përjetuar çka do të thotë ta kesh Albin Kurtin kryeministër në veri e Faton Pecin ministër të Bujqësisë. Kosova e ka përjetuar deri në palcë edhe uzurpimin dhe zhvatjen për 18 vjet në Ulpianë, që vazhdon edhe sot e kësaj dite, njëjtë siç e ka përjetuar edhe qeverisjen e Ramushit në kryeministri dhe të Nenad Rikallos në Bujqësi”, shkroi ai në Facebook.

“Thirrje publike deputetes së AAK-së: Shko pyeti fermerët në Gjakovë e Deçan se çka thonë për ministrin Faton Peci në Bujqësi dhe ministrin Nenad Rikallo, me të bëmat e tij në këtë ministri.

Hija ime po ju ndjek ende në Kuvend. Tung e bafshi, zhvatës!”, shtoi ai.

Reagimi i tij erdhi pasi deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Teuta Haxhiu, foli në Kuvend për atë që i cilësoi si sulme ndaj Daut Haradinajt.

Në fjalimin e saj, ajo përmendi bashkëshortin e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe ish-ministrin e Bujqësisë, tashmë kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Faton Pecin.

Për këtë të fundit, Haxhiu tha se Peci njihet për skandale.

“Mbajmë mend që i ka ushqyer fëmijët në çerdhe me mish me afat të skaduar”, deklaroi ajo.

Tutje, deputetja e AAK-së kritikoi ashpër pushtetin për mosndarjen e një milion eurove për protezat për invalidët e luftës.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka mbrojtur figurën e kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, duke thënë se ai do të mbahet mend jo vetëm për transformimin e bujqësisë, por edhe për luftimin e krimit dhe korrupsionit, raporton Ekonomia Online.

Duke iu referuar kritikave ndaj Pecit, Gërvalla tha se ai ishte ndër ministrat më të guximshëm të Qeverisë Kurti II.

“Për ta ulur pak nivelin e dezinformimit dhe propagandës: ministri Faton Peci, ish-ministër i Bujqësisë dhe kryetari i sotëm i Mitrovicës, do të mbahet mend për transformimin e bujqësisë, si dhe si njëri prej ministrave për luftimin e pakompromis të krimit dhe korrupsionit. Do të mbahet mend edhe si njëri prej ministrave më të guximshëm të Qeverisë Kurti II. E çka flitet në këtë sallë duhet të jetë në përputhje edhe me atë që dëgjojmë nga familjarët, fqinjët dhe qytetarët e Republikës sonë, të cilët çdo ditë dhe në çdo vend do t’ia përsërisin pikërisht këtë gjë”, tha ajo.

Të ngjashme