Prishtinë- Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në takimin e 373-të, ka emëruar gjyqtarin Faton Ajvazi, mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Ferizaj- Dega në Shtërpcë.
Mandati i tij pritet të zgjasë 5 vite.
Në procesin e votimit nga anëtarët e KGJK-së, Ajvazi mori 10 vota për.
Për pozitën e mbikëqyrësit kishin aplikuar: Lela Petkoviq, Magdalena Milloshejviq dhe Fatos Ajvazi.
Mirëpo, sikurse u tha nga anëtari i KGJK-së, Artan Abazi, Komisioni për Rekutim kishte konstatuar se Petkoviq dhe Millosheviq e kishin performancën më pak se shumë mirë, andaj nuk janë kualifikuar për fazën e intervistimit.
Biografia e gjyqtarit Ajvazi, sipas njoftimit të Gjykatës:
Faton Ajvazi është gjyqtar i Departamentit të Përgjithshëm – Divizioni Civil në Gjykatën Themelore në Ferizaj. Faton Ajvazi ka diplomuar në vitin 2003 në Fakultetin Juridik – Universiteti i Prishtinës. Ai kreu provimin e jurisprudencës në vitin2007. Ndërsa praktiken profesionale e mbajti në Gjykatën e Qarkut në Gjilan në vitin 2004 -2005. Faton Ajvazi gjithashtu ka punuar edhe si mbrojtës i viktimave në Njësinë për mbrojtjen e viktimave – Ministria e Drejtësisë, në periudhën prej 01.09.2005 e deri në vitin 2012. Ndërsa në Gjykatën Komunale në Ferizaj është emëruar gjyqtar më 01.08.2012 ku dhe punoi deri me datën 31.12.2012. Nga janari i vitit 2013 Faton Ajvazi, u emërua gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil, pozitë të cilën ende e mban, ndërsa nga viti 2016 – 2020 është angazhuar edhe në divizionin penal.