Rexhepi: Në 17 vjet, Gjykata Kushtetuese ka konsoliduar parimet e rendit demokratik

Prishtinë | 22 Tet 2026 | 10:31 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Nexhmi Rexhepi, në 17-vjetorin e themelimit të këtij institucioni, ka thënë se këto vite përfaqësojnë një periudhë të rëndësishme të ndërtimit të institucioneve, zhvillimit të jurisprudencës kushtetuese dhe konsolidimit të parimeve mbi të cilat mbështetet rendi demokratik i vendit, raporton Ekonomia Online.

Rexhepi ka theksuar se gjatë kësaj periudhe, Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar çështje që kanë prekur të drejtat themelore të individit, marrëdhëniet ndërmjet pushteteve dhe funksionimin e institucioneve kushtetuese.

“17 vjet mund të jenë një periudhë relativisht e shkurtër në historinë e drejtësisë kushtetuese evropiane. Megjithatë, për Republikën e Kosovës këto vite përfaqësojnë një periudhë të rëndësishme të ndërtimit të institucioneve, zhvillimit të jurisprudencës kushtetuese dhe konsolidimit të parimeve mbi të cilat mbështetet rendi ynë demokratik. Gjatë kësaj periudhe, Gjykata jonë ka shqyrtuar çështje që kanë prekur të drejtat themelore të individit, marrëdhëniet ndërmjet pushteteve, dhe funksionimin e institucioneve kushtetuese; gjatë dy viteve të fundit jemi vënë përballë sfidave edhe më komplekse: ato kanë treguar se drejtësia kushtetuese nuk vepron gjithmonë në rrethana të zakonshme, dhe se një kontest kushtetues nuk mbetet vetëm një mosmarrëveshje juridike ndërmjet palëve, por mund të ndikojë në funksionimin e institucioneve dhe në aftësinë e tyre për të përmbushur përgjegjësitë që u janë besuar. Siç e dimë, secili shtet njeh disa paradigma themeltare identitare të tij. Edhe Kushtetuta jonë ka para historinë dhe historinë e vet, pavarësisht se ruan në mënyrë të veçantë gjurmët e saj të reja që lidhen me atributet shtetërore të Kosovës. Edhe vetë praktika kushtetuese evropiane ka kaluar sa e sa herë nëpër përvoja të tilla. Ne kemi ndjekur këto përvoja duke afirmuar pavarësinë e pushtetit gjyqësor si gur themel të demokracisë”, theksoi Rexhepi.

Ai ka thënë se Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese përfaqësojnë më shumë sesa ruajtjen e rendit juridik dhe të demokracisë, duke i cilësuar ato si bartëse të dinjitetit, drejtësisë dhe vlerave civile e kulturore.

“Një Kushtetutë dhe rrjedhimisht një Gjykatë Kushtetuese me gjithë paradigmat e saj historike, shpërfaq jo vetëm rend, por edhe dinjitet, drejtësi, vlerë civile dhe kulturore; pra, është shumë më shumë se një rojë e rendit juridik apo vetë demokracisë, në kuptimin më fisnik të saj. Besoj shumë se Gjykata jonë Kushtetuese tashmë ka krijuar standard të qëndrueshëm brenda këtij identiteti kushtetues, duke i njohur elementet e hershme panevropiane të së drejtës, po aq sa të demokracisë moderne liberale, një simbiozë kjo që reflekton mirë edhe traditën e të drejtës vendore të përthyer brenda konteksteve bashkëkohore të sundimit të ligjit. Ky 17-vjetor Gjykatën Kushtetuese e gjen të integruar në familjen e gjykatave kushtetuese evropiane përkatësisht në Konferencën e Gjykatave Kushtetuese Evropiane dhe po ashtu edhe në Asociacionin Frankofon të Gjykatave Kushtetuese; me këtë rast shpreh mirënjohjen tonë të thellë për mbështetjen që i keni dhënë Gjykatës sonë që me sukses të përmbyllë një rrugëtim të gjatë integrimi e forcimi institucional”, tha ai.

Figura e tanishme s’ka tekst alternativ. Emri i kartelës është: df12fbaa-5ba0-4d2a-b363-3b300dec31c9.jpg

Të ngjashme