Hapet ekzpozita “Luigj Gurakuqi në dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror”, nderohet kontributi i tij në historinë kombëtare shqiptare

Prishtinë | 22 Tet 2026 | 14:34 | Nga Ekonomia Online

Në Prishtinë është hapur ekspozita “Luigj Gurakuqi në dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror”, e organizuar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri”, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencinë Shtetërore të Arkivave, raporton Ekonomia Online.

Drejtoresha e Institutit të Historisë “Ali Hadri”, Teuta Shala, tha se ekspozita paraqet një mundësi të veçantë për të njohur nga afër jetën dhe kontributin e Luigj Gurakuqit në historinë kombëtare shqiptare.

“Kjo ekspozitë organizohet në kuadër të marrëveshjës së bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve dhe përbën një mundësi të veçantë për të njohur më nga afër jetën, veprimtarinë dhe kontributin e Luigj Gurakuqit në historinë kombëtare shiptare, përmes dokumenteve arkivore që dëshmojnë angazhimin e tij në fushën e arsimit, të gjuhës shqipe dhe të çështjes kombëtare” tha Shala.

Ajo theksoi se dokumentet arkivore dëshmojnë angazhimin e tij në fushën e arsimit, gjuhës shqipe dhe çështjes kombëtare.

“Dokumentet arkivore janë dëshmi të çmuara të së kaluarës. Përmes tyre, historia jo vetëm ruhet, por edhe bëhet më e prekshme dhe më e kuptueshme për studiuesit dhe për brezat e rinj. Prandaj, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve tona në prezantimin dhe studimin e trashëgimisë dokumentare ka rendësi të vëçantë për ruajtjen e kujtesës historike dhe për forcimin e lidhjeve tona institucionale e shkencore” shtoi Shala.

Kurse, drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Auron Rrokaj, tha se qëllimi i ekspozitës për Luigj Gurakuqin dhe konferencës shkencore është që vepra e tij t’u prezantohet qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Nesër konferenca do ilustrojë aspekte të jetës së Luigj Gurakuqit nga studiuesit që do të marrin pjesë. Qëllimi i ekspozitës dhe i konferencës nesër nuk është thjesht të dëgjojnë kumtesat që studiuesit përgatisin, është t’u çojmë qytetarëve të Kosovës e të Shqipërisë veprën e këtij patriotit të madh. Kjo është detyra misioni i dy drejtorive të arkivave, qoftë dhe institutit të historisë, të çojmë tek qytetarët bashkëqytetarët tanë, të ndryshojmë historinë nëpërmjet dokumenteve, të ndryshojmë ato pjesë që kanë pikëpyetje, të joshim të rinjtë tek dokumentet, tek rrënjët, tek trungu, sepse pa rrënjët asnjë i ri sot me këto momente të trazuara nuk mund të jetë një qytetar i mirë dhe nuk mund të jetë dhe nesër një nënshtetas i mirë” deklaroi Rrokaj.

Rrokaj tha se institucionet arkivore kanë për mision ruajtjen e dokumenteve, por edhe vënien e tyre në dispozicion të qytetarëve, studiuesve dhe studentëve.

“Ky është një mision që kanë jo vetëm institucionet, por edhe ju që jeni studiues, gazetarë apo çfarëdo lloj pozicioni e funksioni që keni në jetën tuaj publike dhe shoqërore. Historia nuk është qëllim në vetvete, dokumentet, ruajtja e tyre nuk janë qëllim në vetvete. Duhet që dokumentet dhe historia të shkojë tek populli, tek qytetarët dhe nisma të tilla, ekspozitat, konferencat, propagandimi, tërheqja e të rinjve, përcjellja e këtyre ngjarjeve dhe këtyre brendve tek qytetarët, ky do të ishte suksesi” tha ai.

Ai shtoi se, përmes marrëveshjeve të bashkëpunimit me institucionet në Kosovë, synohet lehtësimi i qasjes në dokumentet arkivore dhe njohja më e mirë e historisë përmes fakteve dhe dëshmive dokumentare.

“Ne si Drejtori e Përgjithshme e Arkivave, për të lehtësuar gjithë këtë mision, kemi marrëveshje bashkëpunimi me Institutin e Historisë, afër me homologët tanë në Kosovë, në mënyrë që kushdo, dhe jo vetëm studiuesit, por edhe të rinjtë, edhe studentët e historisë, edhe qytetarët e thjeshtë të kenë akses sa më të lehtë dhe sa më të lirë tek dokumentet, tek faktet, tek historia”, shtoi Rrokaj.

Zv.drejtori ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Mehmet Xhemajli, tha se ekspozita kushtuar Luigj Gurakuqit është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arkivave dhe Institutit të Historisë “Ali Hadri”.

“Kjo ekspozitë është rezultati i bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Institutit të Historisë “Ali Hadri” dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë. Angazhimi i përbashkët i këtyre institucioneve në përgatitjen dhe realizimin e saj dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në ruajtjen e studimeve dhe promovimin e trashëgimisë sonë dokumentare dhe historike”, shtoi Mehmeti.

Ai theksoi se Gurakuqi ishte një nga personalitetet e shquara të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, duke veçuar kontributin e tij në zhvillimin e arsimit shqip, shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe konsolidimin e shtetit shqiptar.

“Luigj Gurakuqi ishte një nga personalitetet e shquara të rilindjes kombëtare shqiptare, intelektual, arsimtar dhe përpimtari i përkushtuar ndaj çështjes kombëtare. Kontributi i tij në zhvillimin e arsimit shqip, në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe në konsolidimin e shtetit shqiptar e bën atë një figurë të rëndësishme dhe të veçantë në historinë tonë kombëtare. Përmes dokumenteve arkivore të paraqitura në këtë ekspozitë, publiku ka mundësinë të njihet më nga afër me jetën dhe veprimtarinë e tij”,shtoi ai .

Xhemajli tha se dokumentet arkivore janë burime të pazëvendësueshme për hulumtimin shkencor, ruajtjen e kujtesës kolektive dhe përcjelljen e historisë te brezat e ardhshëm.

“Dokumentet arkivore janë dëshmi autentike të shekullit të kaluar dhe burime të pazëvendësueshme për hulumtimin shkencor, ruajtjen e kujtesës kolektive dhe përcjelljen e saj në brezat e ardhshëm”, shtoi Xhemajli .

Ai shprehu mirënjohje për institucionet dhe profesionistët e përfshirë në organizimin e ekspozitës, duke uruar që kjo veprimtari të nxisë interesimin e publikut dhe bashkëpunimin e mëtejshëm ndërinstitucional.

Të ngjashme